Fundi i muajit të Ramazanit, Tërnava uron të gjithë besimtarët

17/07/2015 00:00

Me rastin ditës së Fiter Bajramit, myftiu Naim Tërnava dha një ditë më herët urimin tradicional në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës. Ai  ka përgëzuar të gjithë besimtarët për përmbushjen e njërit prej detyrimeve kryesore të fesë islame.

“Nesër më 17.07.2015 është dita e parë e Fiter Bajramit, ndaj me këtë rast, kam kënaqësinë që në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, të institucioneve të saja dhe në emrin tim personal, t’i përgëzoj të gjithë besimtarët për përmbushjen e njërit prej obligimeve kryesore të fesë islame. Duke e lutur Allahun xh.sh që të na ketë pranuar agjërimin, lutjet ibadetet dhe punët e mira që i kemi bërë gjatë këtij muaji për Krijuesin e këtij Universi”, u shpreh Tërnava.

Myftiu tha se Kurani mbështet konceptet e moralit e dashurisë mes njerëzve, andaj përmes agjërimit përhapë ndjenjën e përkushtimit, dashurisë e respektit, harmonisë e kënaqësisë.

Besimtarët myslimanë i kanë uruar edhe krerët e institucioneve të shtetit, atyre fetare dhe kryetarët e partive politike.

Ndër të tjera, në urimin e Presidentes Atifete Jahjaga thuhet se “në këtë ditë feste, le të reflektojmë për punën, për angazhimet dhe detyrimet që kemi ndaj njëri-tjetrit, ndaj familjes, miqve dhe shoqërisë. Le të shtrijmë dorën e ndihmës dhe të solidaritetit për të gjithë ata që kanë nevojë”.

Mesazh urimi kanë dërguar edhe përfaqësuesit diplomatikë të vendosur në Prishtinë. Ndërsa zv/kryeministri Hashim Thaçi, ka marrë një telegram urimi nga Sekretari amerikan i Shtetit, John  Kerry.

“Ua uroj festën e Fitër Bajramit të gjithë myslimanëve. Me rastin e kësaj dite të shenjtë, myslimanët gjithandej botës do të bashkohen për të kremtuar me të dashurit e tyre. Ju uroj të gjithëve një festë të lumtur dhe të bekuar, dhe një vit të ri plot paqe e mirëqenie”, thuhet në telegramin e urimit të Sekretarit amerikan të Shtetit.

Top Channel