Rama, vizitë surprizë në Kosovë. Diskutohet Gjykata Speciale, kërcënimet e ISIS dhe Samiti i Vjenës

16/07/2015 00:00

Gjykata Speciale për krimet e luftës, kërcënimet e fundit të ISIS në Kosovë dhe koordinimi për Samitin e Vjenës, ishin tri temat për të cilat kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama udhëtoi në Prishtinë me helikopter për t’u takuar me homologun e tij Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministrin Hashim Thaçi.

Për vizitën surprizë të kryeministrit Rama në Prishtinë, mediat janë njoftuar vetëm pak minuta para se helikopteri i tij të ulej në Aeroportin e Prishtinës.

Në vizitën e tij të pa paralajmëruar më herët, kreu i qeverisë shqiptare u shoqërua nga ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dhe nga drejtori i Zyrës për Komunikim, Endri Fuga, i cili dha informacionin e parë zyrtar lidhur me përmbajtjen e takimit, përmes një postimi në “Tëitter”, ku theksoi se vizita kishte për qëllim koordinimin e dy qeverive për Samitin e Vjenës.

Të njëjtën gjë e konfirmoi më pas edhe komunikata zyrtare e Qeverisë së Kosovës.   
 
Por, Top Channel ka mësuar nga burime brenda takimit se kryeministrat dhe ministrat e pranishëm në takim kanë diskutuar për nevojën e formimit të Gjykatës Speciale për krimet e luftës.
 
Mësohet se kryeministri Mustafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi i kanë thënë kryeministrit Rama se janë në koordinim e sipër me të gjithë faktorët relevantë dhe se Gjykata do të miratohet së shpejti në Kuvend.   
 
Po ashtu, i njëjti burim ka treguar në kushte anonimiteti se Rama është njoftuar edhe për kërcënimet e fundit të disa kosovarëve të arrestuar nga policia si pjesëtarë të ISIS, që u kapën teksa po përgatisnin sulme terroriste.
 
Përveç këtyre temave, kryeministri shqiptar, Edi Rama e ka njoftuar kryeministrin kosovar Isa Mustafa edhe mbi vizitën e kancelares Angela Merkel në Tiranë, ku ndër të tjera kanë diskutuar edhe për Kosovën.

Top Channel