
Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka akuzuar qeverinë e Kosovës se është treguar jotransparente me qytetarët për bisedimet me Serbinë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Limaj ka deklaruar se qeveria ka gënjyer sa i takon përmbajtjes së bisedimeve në Bruksel.
“Qeveria e Kosovës e ka vendosur vendin në një pozitë shumë të vështirë pas bisedimeve në Bruksel. Tashmë është e qartë se më 29 qershor, qeveria nuk është ndarë nga bisedimet ashtu siç ka informuar opinonin publik në vend dhe se komuniteti ndërkombëtar ka shtuar presionin për përmbushjen e marrëveshjes se prillit për Asociacionin e Komunave Serbe”, ka shkruar Limaj.
Ai ka vlerësuar se, kancelarja Merkel lavdëroi kryeministrin serb Vuçiç për kompromisin në bisedimet e fundit, ndërsa nga pala kosovare, sipas tij, ajo ishte e pakënaqur.
“Që kjo temë ka qenë kryesore në takim, këtë tregon edhe rëndësia që iu dha në konferencën për shtyp. Por, si duket, jo vetëm kancelarja Merkel është e pakënaqur nga rrjedha e bisedimeve në Bruksel, por edhe miqtë e tjerë ndërkombëtarë kanë shfaqur hapur pakënaqësi ndaj delegacionit kosovar. Prandaj, ata janë nën presion për themelimin e këtij Asociacioni dhe në fakt kjo është tema qendrore me të cilën qeveria e Kosovës do të ballafaqohet në ditët që vijnë dhe jo vendimi i Parlamentit tonë për ndryshimet kushtetuese”, ka thënë Limaj, duke iu referuar amendamenteve për Gjykatën Speciale.
Top Channel