Nuland: Gjykata Speciale i duhet Kosovës

12/07/2015 00:00

Ndihmës Sekretarja Amerikane për Çështjet e Europës dhe Azisë, Victoria Nuland ka thënë se për të ecur Kosova përpara duhet themeluar Gjykatën Speciale.

Nuland u shpreh se shteti i Kosovës dhe krerët e saj duhet të tregojnë mençuri për të mbyllur edhe këtë kapitull për Kosovën. Zyrtarja amerikane këto deklarata i bëri në takimin që ka pasur me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Sipas njoftimit të Kuvendit, në takim është theksuar nevoja e ecjes përpara të shtetit të Kosovës, në integrimet euroatlantike dhe për këtë, Nuland ofroi mbështetjen e plotë të SHBA-së.

“Nuland shprehu nevojën që shteti i Kosovës dhe lidershipi i saj politik të tregojnë mençuri dhe vendosmëri në ballafaqimin me sfidat integruese të Kosovës, siç janë procesi i dialogut me Serbinë dhe Gjykata Speciale.

“Duke u ndalur në këtë të fundit, Nuland theksoi se është e nevojshme që Kosova me vendosmëri ta mbyllë këtë kapitull në mënyrë që vendi të ecë përpara, ndërsa kryetari Veseli theksoi se Republika e Kosovës do të kapërcejë këtë sfidë me përgjegjësi shtetërore në partneritet me SHBA-të dhe Bashkimin Europian”, thuhet në deklaratë.

Në takim u bisedua edhe për çështjen e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si parakusht themelor për të ndërtuar një ambient më të besueshëm për investime dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Nuland gjithashtu shprehu vlerësimet e qeverisë amerikane për rolin shumë pozitiv dhe rezultatet që është duke dhënë shteti i Kosovës në luftën kundër terrorizmit. Ajo siguroi se edhe në këtë fushë mbështetja amerikane për Kosovën do të jetë e plotë.

Ndërkohë, zyrtarja amerikane është pritur edhe nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa.

Siç njoftohet në një komunikatë për shtyp nga Kryeministria, Isa Mustafa shprehu falënderimet e qeverisë dhe të popullit të Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se për këtë mbështetje të përhershme, Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë mirënjohëse.

Ndërsa, gjatë takimit me Presidenten Jahjaga, Nuland u infromua për përkushtimin e institucioneve kosovare në ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe në veçanti në përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare.

Jahjaga ka thënë se pret që institucionet së shpejti të themelojnë Gjykatën Speciale për t’i adresuar akuzat e ngritura nga raporti i Këshillit të Europës dhe për të shmangur që një hap i tillë të merret nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Të gjitha këto takime janë zvilluar pa praninë e mediave.

Top Channel