
Është vendosur “arrest me burg” për njërin nga autorët e grabitjes së filialit të bankës “Credins” në Durrës. Në sallën e gjyqit, Alban Duka ka deklaruar se e ka kryer grabitjen nën presionin e borxheve të shumta që kishte për shkak të bixhozit dhe kërcënimeve serioze për jetën nëse nuk do t’i shlyente.
Në Gjykatën e Durrësit është zhvilluar paraditen e sotme seanca gjyqësore për vleftësim të arrestimit dhe caktim mase sigurimi personal në ngarkim të të arrestuarit Alban Duka, 31 vjeç, me banim në Tiranë.
Duka është i dyshuar për veprën penale “vjedhje me armë” dhe “prodhim e mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”. Pasi ka dëgjuar palët, gjyqtari i seancës, Fejzo Hysi, ka vendosur të vlerësojë të ligjshëm “arrestin në flagrancë” dhe ka caktuar si masë sigurimi “arrest me burg” ndaj Dukës, i cili u kap nga shërbimet e policisë që u vunë në ndjekje të tij pak pas grabitjes, së bashku me çantën ku ndodheshin paratë e grabitura në lekë, euro dhe dollarë, që kapnin vlerën e 4 milionë lekëve.
Policia arriti të sekuestrojë dhe armët, mjetet, si maskën-paruke të përdorur në grabitjen që u organizua në kohën kur e gjithë vëmendja ishte vendosur te vizita e kancelares gjermane Anxhela Merkel në vendin tonë.
Top Channel