Kosovë, Kurteshi i dorëzon detyrën Jasharit

06/07/2015 00:00

Avokati i ri i Popullit në Kosovë, Hilmi Jashari ka premtuar se do t’i adresojë shqetësimet e qytetarëve, në momentin kur të drejtat e tyre të vihen në pikëpyetje. Ai iu referua bazës ligjore të plotësuar këtë vit, për çka tha se do të fokusohet në hetimet zyrtare dhe në fuqizimin e rekomandimeve për institucionet e Kosovës.

“Sfidat kryesore janë dy: ngritja e besimit të qytetarëve dhe fuqizimi i rekomandimeve të Avokatit të Popullit. Puna do të vazhdojë mbi bazën e njëjtë ligjore, por fokusi ynë do të jetë avancimi i hetimeve zyrtare që është një kompetencë e re, në bazë të ligjit të ri mbi Avokatin e Popullit”, është shprehur Jashari.

Këto komente Jashari i bëri gjatë pranim-dorëzimit të detyrës nga Sami Kurteshi, i cili ka qëndruar në këtë pozitë nga viti 2009. Me këtë rast, Kurteshi bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe janë trajtuar më shumë se 12 mijë raste, mes tyre edhe beteja ligjore me Presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga dhe Gjykatën Kushtetuese, në lidhje me vazhdimin e mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese.

Por, avokati i ri, Hilmi Jashari nuk ka ende një qëndrim rreth kësaj çështjeje.

“Avokati Kurteshi është përgjegjës për qëndrimet e tij, dhe qëndrimet e tij janë rrjedhimisht edhe qëndrime të insistucionit që ai ka qenë në krye. Por, nëse do të kemi qëndrime të tjera, atëherë Avokati i Popullit do të dalë me këto qëndrime”, është shprehur Jashari.
 
“Institucioni i Avokatit të Popullit trajton rreth 2500 raste në vit, tani rreth 1/6 e rasteve që regjistrohen janë në proces zgjidhjeje, që do të thotë se kemi përparim. Më herët kemi pasur një numër shumë më të madh të rasteve të hapura, por falë një procedure kur fillimisht rastet trajtohen, tani kemi raste kur përfundojnë edhe para afatit ligor”, është shpehur Kurteshi.

Hilmi Jashari u zgjodh javën e kaluar Avokat i Popullit në Kosovë. Kuvendi i Kosovës së fundi ka miratuar edhe ndryshimet në ligjin përkatës, sipas të cilit, Avokati i Popullit do të veprojë edhe si mekanizëm kombëtar për parandalimin e torturës dhe trajtimeve e ndëshkimeve, siç thuhet në ligj, mizore, jo njerëzore dhe poshtëruese.

Top Channel