Djegia e shtëpisë në Llapushnik, reagon BIK-u. Policia: Nuk ishte zjarrvënie e qëllimshme

06/07/2015 00:00

Të hënën në mëngjes është raportuar se në fshatin Llapushnik të Drenasit, është përfshirë nga zjarri shtëpia e një qytetari të besimit katolik.

Duke qenë se në këtë fshat kishte pasur një mosmarrëveshje mes qytetarëve myslimanë dhe atyre katolikë rreth ndërtimit të një kishe, u mendua se zjarrvënia ishte e qëllimshme.

Mirëpo, kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka reaguar në lidhje me këtë rast. Përmes një deklarata ata kanë shprehur shqetësimin dhe tendencën e disa medieve për t’i dhënë karakter fetar kësaj ngjarje.

“Kryesia e BIK-ut kërkon nga organet kompetente që sa më parë të ndriçojnë rrethanat e djegies së pronës në Llapushnik, ndërsa në të njëjtën kohë apelon te të gjithë që të mos paragjykojnë motivet e aksidentit, pa pasuar version zyrtar nga autoritetet.

“Populli ynë dhe bashkësisë tona fetare historikisht kanë qenë të përkushtuar në kultivimin e tolerancës e mirëkuptimit ndërfetarë e ndërnjerëzorë e mbi të gjitha mirëkuptim ndërvëllazërorë. Mbesim të përkushtuar që këto vlera të popullit tonë për asnjë motiv të mos cenohen”, thuhet ndër të tjera në këtë deklaratë.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka dhënë edhe versionin zyrtar të ngjarjes. Pas hetimeve të bëra, ka rezultuar se zjarri ka rënë si pasojë e një lidhje të energjisë elektrike, dhe se nuk kemi të bëjmë me zjarrvënie të qëllimshme.

Sipas policisë, nga ky rast nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale, ndërsa kanë ftuar mediet që në raste të tilla të presin për deklaratat zyrtare të autoriteveve, në vend se të nxisin opinionin duke paragjykuar motivet e këtij aksidenti.

Top Channel