Thaçi: Kosova tashmë është konsoliduar; e gatshme për tranzicionin e EULEX-it

02/07/2015 00:00

“Kosova tashmë është konsoliduar si shtet ndaj si e tillë është e gatshme të marrë të gjitha kompetencat në fushën e sundimit të ligjit”.

Këtë mesazh ia ka dhënë zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, zëvendëssekretarit të Përgjithshëm për Shërbim të Jashtëm Europian  Maciej Popowski, përgjegjës edhe për EULEX-in.  Në takimin ku ndodhej edhe Samuel Zhbogar, drejtuesi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, është  diskutuar për të ardhmen e EULEX-it dhe zhvillimet e fundit në vend.

“Kosova është e gatshme të marrë mbi vete të gjitha kompetencat në sektorin e sundimit të ligjit”, u shpreh zëvendëskryeministri Thaçi. “Tani mund të vazhdojmë bashkëpunimin dhe koordinimin për tranzicionin e EULEX-it”, ka thënë ai, njoftohet në një komunikatë për shtyp të shpërndarë nga Ministria e Jashtme në Prishtinë.

Zëvendëskryeministri Thaçi i ka falenderuar zyrtarët e BE-së për angazhimin e vazhdueshëm të EULEX-it për forcimin e kapaciteteve vendore në fushën e sundimit të ligjit dhe ka theksuar se kontributi i prezencës ndërkombëtare në sektorin e sundimit të ligjit në 16 vitet e fundit ka krijuar bazamentin më të mirë për të ndërtuar një sektor vendor të drejtësisë të nivelit europian.

Top Channel