Jo vetëm komuniteti i të apasionuarve pas shkencës fiktive imagjinon një botë ku robotët do të marrin kontrollin.

Ky shqetësim ka filluar të hyjë edhe tek vizionarët më të njohur, përfshirë këtu një grup që sapo ka ofruar 7 milionë dollarë për kërkimet mbi efektet negative që mund të sjellë inteligjenca artificiale.

Instituti i së Ardhmes së Jetës ua ka dhënë paratë 37 ekipeve të specializuara, që do të kenë për detyrë kërkimin e gamës së subjekteve të lidhura me avancimet e ardhshme të inteligjencës artificiale, AI.

Fondet vijnë pjesërisht nga një investim prej 10 milionë dollarësh që manjati i teknologjisë, Elon Musk i dhuroi grupit në janar, për të përcaktuar rreziqet që lidhen me AI-në.

AI është një term i përdorur për aftësinë e robotit, kompjuterit apo sistemit elektronik që të kenë një inteligjencë të ngjashme me atë të njeriut.

Termi “inteligjencë artificiale” mban firmën e një prej themeluesve të saj, John McCarthy, të cilit i atribuohet dhe përdorimi i parë në vitin 1955.

Top Channel