Prishtinë, tenton vetëvrasjen duke u hedhur nga kati i tretë. Në gjendje të rëndë, në spital

02/07/2015 00:00

Një i ri është përpjekur të vetëvritet, duke u hedhur nga kati i tretë i shtëpisë së tij, në lagjen “Ibrahim Lutfiu” në Prishtinë.

Ngjarja është konfirmuar për Top Channel nga zyrtarja për informim në Policinë e Kosovës, Florije Ahmeti, e cila tha se, rreth orës 16:30, me të marrë informacionin, në vendngjarje ka shkuar ekipi mjekësor.

Ndërsa dëshmitarët kanë treguar për mediet se, i riu thërriste “Allahu Akbar”, teksa përpiqej të hidhej.

Në një video amatore, të publikuar nga mediet kosovare dhe të hequr pak minuta më vonë nga “Youtube” për shkaqe etike, dukeshin pikërisht përpjekjet e dy personave të tjerë, për të shpëtuar të riun.

Me gjithë përpjekjet prej disa minutash, tentativa për ta shpëtuar ka dështuar. Në venndgjarje janë ndodhur rastësisht edhe inspektorë të komunës së Prishtinës, të cilët po ashtu janë përpjekur ta presin të riun, për të zbutur goditjet.

Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve, ai tashmë ndodhet i shtruar në Urgjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në gjendje të rëndë dhe me dëmtime në kokë, shtyllën kurrizore dhe kraharor.

Top Channel