Gjykata Speciale, zyrtari i DASH takohet me krerët e Kosovës. Merr garanci për krijimin e saj

02/07/2015 00:00

Liderët e Kosovës i kanë premtuar ngritjen e Gjykatës Speciale, të dërguarit të Departamentit amerikan të Shtetit, i cili vizitoi sot Kosovën.

Në takime me dyer të mbyllura, presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Isa Mustafa dhe zëvëndëskryeministri Hashim Thaçi  i thanë drejtorit të zyrës për çështje të Europës Jugore dhe Qendrore në Departamentin amerikan të Shtetit, Thomas Yazdgerdi, se Kosova nuk do t’u shmanget përgjegjësive.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur këtë të enjte në një takim drejtorin e zyrës për çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore, në Departamentin amerikan të Shtetit, Thomas Yazdgerdi.Në një njoftim nga Presidenca thuhet se, në takim u diskutua për zhvillimet aktuale në Kosovë, bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën evropiane dhe euroatlantike të Kosovës.

“Sa i përket themelimit të Gjykatës Speciale, Presidentja Jahjaga theksoi se pret nga institucionet e vendit, që të gjejnë mënyrën e përmbushjes së detyrimeve ndërkombëtare, në respektim të vendimit të Kuvendit dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare. Presidentja Jahjaga vlerësoi gjithashtu se, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë është me rëndësi për zgjidhjen e çështjeve ndërmjet dy vendeve, por theksoi se rëndësi të veçantë ka zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani”, – shkruhet në njoftimin për shtyp të Presidencës.

Presidentja Jahjaga theksoi gjatë takimit se, Kosova mbetet e palëkundur në orientimin e saj, që të jetë një partnere e fuqishme e Shteteve të Bashkuara dhe krenare me partneritetin dhe arritjet e përbashkëta të deritanishme të kësaj miqësie.

Sa i përket themelimit të Gjykatës Speciale, në takimin e veçantë me zyrtarin amerikan, presidentja Jahjaga theksoi se pret nga institucionet e vendit që të gjejnë mënyrën e përmbushjes së obligimeve ndërkombëtare, në respektim të vendimit të Kuvendit dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare.
 
Gjatë takimit me kryeministrin isa Mustafa, vëmendje iu kushtua rëndësisë  së jashtëzakonshme që ka themelimi i Dhomave të Specializuara për Kosovën në këtë fazë.

“Me këtë, Kosova tregon se ka kapacitetet për të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e saj dhe për të ecur përpara në integrimet europiane dhe euroatlantike”, thuhet në komunikatën e shpërndarë për shtyp pas këtij takimi.

“Miqësia mes Kosovës dhe SHBA-ve është e veçantë dhe se populli i Kosovës është i vetëdijshëm se nuk do të gëzonte lirinë dhe pavarësinë sikur të mos kishte pasur përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, i ka thënë zëvëndëskryeministri, Thaçi zyrtarit amerikan në një takim tjetër të vecantë.

Duke folur për Gjykatën Speciale, Thaçi u shpreh se Kosova nuk do t’u shmanget përgjegjësive dhe obligimeve ndërkombëtare që i ka.

“Themelimi i Gjykatës Speciale është në interes të Kosovës. Institucionet e Kosovës do të përkujdesen që kredibiliteti i vendit, si dhe i miqve të saj të mos cenohen”, tha zëvendëskryeministri i Kosovës.

FOTO GALERI
2/4
Zyrtari amerikan Yazdgerdi me Presidenten Atifete Jahjaga

Top Channel