Indeksi Global i Paqes: Shqipëria fiton tre vende, renditet e 52-ta

16/06/2015 00:00

Shqipëria edhe këtë vit renditet në gjysmën e parë të vendeve më paqësore në botë. Sipas raportit të Global Peace Index (Indeksi Global i Paqes) për vitin 2015, vendi ynë renditet i 52-ti ndër 162 vende.

Krahasuar me vitet e mëparshme, Shqipëria është bërë një vend më paqësor dhe më i sigurtë.

Një vit më parë, GPI e rendiste Shqipërinë në vendin e 55-të, ndërsa në vitin 2013 në vendin e 71-të. Renditja bëhet në bazë të analizës së 13 të dhënave, ku përfshihet kriminaliteti, qëndrueshmëria politike, armatimi, siguria apo dhe terrorizmi.

Duke krahasur të dhënat me një vit më parë, kriminaliteti dhe krimet e dhunshme vazhdojnë të kenë të njëjtin indeks, 3.0/5 pikë. Ndryshime ka pësuar e dhëna për stabilitetin politik, që një vit më parë ishte 3.3/5, ndërsa për vitin 2015 ka rënie, duke shënuar 2.8/5 pikë.

Në raportin global, Islanda vijon të renditet si vendi më paqësor në botë. Teksa një vit më parë Afganistani renditej i fundit, këtë vit në vend të fundit renditen Siria dhe Iraku, për shkak të ISIS.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA