Kosova jashtë agjendës së KiE/ Anëtarësimi mungon në axhendë, kushti për qeverinë Kurti mbetet Asociacioni Pas dhjetë ditë diskutimesh është arritur marrëveshje mes Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Ministrisë së Financave me vlerë 185 milionë euro. Në kuadër të një program 22-mujor, këto fonde do të ndahen në sektorë të ndryshëm në Kosovë, përfshirë bujqësinë, arsimin, shëndetësinë e të tjerë.
“Kemi dizajnuar një program që në pika të përgjithshme adreson nevojat tona, ndoshta çështja madhore pranë këtij programi është pajtimi që ne kemi arritur për të ndryshuar rregullën fiskale sa i përket deficitit buxhetor, normalisht duke e mbajtur këtë rregull fiskale për shpenzimet e rregullta buxhetore por duke lejuar që përtej kësaj rregulle fiskale, ne si vend i ri me një ekonomi në zhvillim me plot nevoja të hyjmë në marrëveshjen ndërkombëtare për të financuar projekte zhvillimore që i nevojiten Kosovës”, tha Avdullah Hoti, ministër i Financave.
Ministri Hoti po ashtu tha se për shkak se borxhi publik i Kosovës është i ulët, kjo i jep hapësirë për kredi ndërkombëtare duke mundësuar kështu zbatimin e plotë të projekteve të Qeverisë së Kosovës.
“Kemi arritur të finalizojmë suksesshëm negociatat për një program të ri me FMN-në. Ky program pritet të kalojë në faza të tjera të aprovimit në instancat e FMN-së. Sektori bankar është mirë i kapitalizuar, është likuid me trende pozitive të zhvillimit kemi rritje të aseteve, rritje të depozitave. Rritje të kreditimit, kemi zvogëlim të normave të interesit”, theksoi Bedri Hamza, Guvernator i Bankës Qendrore.
“Është rritje ekonomike që ka qenë më e qëndrueshmedhe më e lartë se në vendet tjera fqinje dhe të krijohen kështu kushte për një rritje më të madhe dhe më të shpejtë në mënyrë që Kosova t’i rrisë të ardhurat e veta deri në stadartet e ekonomisë rajonale dhe të krijojë vende të punës për të cilat ka nevojë”, tha Jacques Miniane, udhëheqës i Misionit të FMN-së.
FMN dhe Ministria e Financave po ashtu janë pajtuar që të rishikohet buxheti i vitit 2015 dhe buxheti preliminar i vitit 2016, që mundëson vazhdimin e projekteve të cilat kanë nisur më herët.
Top Channel