Kosovë, përfundon provimi i parë i maturës. Raste të izoluara parregullsish

06/06/2015 00:00

Në Kosovë ka përfunduar pjesa e parë e provimit të maturës, të cilit i janë nënshtruar rreth 38 mijë maturantë.

Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës e vlerësoi të suksesshëm procesin, ndërsa skandalin e shpërndarjes online të përgjigjeve të testit, të raportuara nga mediet kosovare gjatë ditës, e ka cilësuar një parregullsi të vogël dhe rast të izoluar.

Azem Guri, kryetar i këtij komisioni, tha se, sipas informatave që kanë marrë nga terreni, gjithçka ka shkuar siç duhet dhe se ky provim ka treguar gatishmëri shumë të lartë.

Sipas tij, kanë ndodhur disa parregullsi të vogla, për të cilat Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës do të marrë vendime konkrete, në varësi të rasteve specifike.

“Ne mendojmë dhe kemi analizuar se, tentativa e tyre për të manipuluar me përgjigjet e tyre, që nuk kanë qenë të sakta, është thjesht një parregullsi jashtëzakonisht shumë e vogël, çka do të thotë se ka qenë veçse një tentativë”, tha Guri.

Në pjesën e dytë të provimit shtetëror të maturës, i cili do të mbahet më 20 qershor, komisioni planifikon mënyrë më të mirë organizimi dhe administrimi, për të shmangur parregullsitë që kanë ndodhur gjatë testit të kësaj të shtune.

Top Channel