Kosovë, familjarët e kërcënuesit të ISIS nga Gjilani, tepër të shqetësuar

06/06/2015 00:00

Familja e anëtarit të ISIS, Ridvan Haqifit nga Gjilani, i cili shfaqet në videon, ku kërcënohet Ballkani me sulme, po e përjeton rëndë, atë që ka bërë i biri.

Për mediet kosovare, prindërit dhe motra e Haqifit, që në video identifikohet si Abu Muqatil Al Kosovi, thonë se do të kishin dhënë gjithçka, që bijtë e tyre të kthehen në shtëpi, duke iu referuar edhe djalit tjetër, që ndodhet në burg në Kosovë, me akuza për terrorizëm.

Megjithatë, ata akuzojnë shtetin, duke pretenduar se është faji i autoriteteve, që nuk i kanë ndaluar dhe që i detyrojnë njerëzit të ikin, nga mungesa e punës dhe mirëqenies.

Ndërkohë, myftiu i Kosovës Naim Tërnava ka përcjellë një mesazh, pas publikimit të videos ku një kosovar nga Gjilani kërcënon Kosovën nga Siria. Bashkësia Islame i ka dyert e mbyllura për të gjithë ata persona, që mundohen të destabilizojnë besimtarët myslimanë, – ka thënë myftiu në deklaratën e tij.

Top Channel