Karkaleci pushton tokat bujqësore në Skrapar

03/06/2015 00:00

Disa dhjetëra hektarë me prodhime bujqësore janë pushtuar nga karkalecat në fshatrat e komunës Qendër e Potom, të rrethit të Skraparit.

Ndërsa ky dëmtues është ende në fazat e para të zhvillimit të tij është dhënë menjëherë alarmi nga Drejtoria e Bujqësisë Berat, e cila është gjendur për një kohë të shkurtër pranë fermerëve të këtyre zonave. Një vit më parë, karkaleci ka sjellë mjaft dëmtime në bujqësi, me humbje të shumta në prodhim. Ndërsa këtë vit, duket se alarmi është dhënë në momentin e duhur.
 
Shefi i bujqësisë për rrethin e Skraparit, Astrit Çela, ka pohuar për Top Channel se, pasi e ngritën si shqetësim, ministria përkatëse u përgjigj menjëherë.

“Tashmë e kemi situatën nën kontroll, duke i bërë dezifenktim e parcelave të infektuara. Karkalecat janë në fazën e parë të zhvillimit, por duket qartë reja e zezë, e cila nëse nuk do të sulmohet me dozat e duhura, ditët në vijim do të dëmtojë të gjithë prodhimin”, u shpreh Çela.

Top Channel