
Verdi Taraj mbarështon rreth 70 koshere bletësh në Tepelenë, në komunën Qendër. Ai thotë se bletërritja po bëhet gjithnjë e më e vështirë me kalimin e viteve, pasi produkti me një cilësi të lartë i zonës është duke u konkurruar seriozisht prej mjaltit fals, për të cilin nuk ka asnjë kontroll në treg.
Qindra ton mjaltë i prodhuar nga bletërritësit profesionistë ngelet stok çdo vit për shkak të mungesës së tregut.
Produktet industriale, sipas tij, konkurrojnë përmes çmimeve më të ulëta. Mjalti i vërtetë i kullotave të Tepelenës, sipas bletërritësit, ende nuk është zyrtarisht në treg.
“Bëjnë mjaltë fals, e bëjnë nëpër punishte. Ata e dinë si e bëjnë, por nuk është mjaltë. Sepse nuk ka mundësi të shesësh një bidon mjaltë në këmbim të dy kileve qershi”, shpjegon Taraj.
Bletërritësit, të cilët janë duke e zhbërë edhe shoqatën që dikur grumbullonte rreth 60 anëtarë, thonë se mbështetja për sektorin me subvencione bëhet e diferencuar ose mungon. Taraj thotë se duhen pyetur grupet e interesit se cila është mbështetja që kërkojnë.
“Kemi problem edhe me subvencionimin. Nuk e di si bëhet, por unë kurrë nuk kam marrë subvencion. Të njëjtët persona marrin përherë. Pse? Na thonë që këta përzgjedh kompjuteri. Se si na qenka ky kompjuter që zgjidhka gjithmonë të njëjtët…”, shprehet bletërritësi.
Në të gjithë rrethin e Tepelenës mbarështohen rreth 4000 koshere bletësh dhe prej 7 vitesh ky numër nuk është rritur.
Top Channel