LDK lë jashtë organeve të partisë zërat kritikë

01/06/2015 00:00

Lidhja Demokratike e Kosovës pritet t’i lërë jashtë organeve të partisë zërat, që së fundi kanë pasur qasje kritike ndaj kryeministrit të Kosovës dhe kreut të LDK-së, Isa Mustafa.

Kështu, të paktën, ndodhi gjatë zgjedhjes së anëtarëve të organit më të lartë të LDK-së, Këshillit të Përgjithshëm. Deputetët e kësaj partie, si Vjosa Osmani, Arben Gashi, Adem Salihaj nuk figurojnë në listën prej 99 anëtarësh të zgjedhur.

Të njëjtin fat e pati edhe kryetari i degës së LDK-së në Prizren, Haxhi Avdyli, i cili të dielën propozoi Vjosa Osmanin për kryetare të LDK-së. Ndonëse nuk pranuan të prononcohen para kamerave, anëtarët e mbetur jashtë Këshillit të Përgjithshëm e vlerësojnë këtë, si hakmarrje nga ana e kryetarit të LDK-së.

Edhe për këtë çështje, delegatët e LDK-së në Kuvendin e 8 Zgjedhor kanë votuar me votim të hapur.

Ndërkohë që, pas zgjedhjes së tij, vetë Mustafa, në një status në Facebook, është treguar mjaft i ashpër ndaj atyre që i quan faktorë, që kanë ushtruar presion – sipas tij, – ndaj antarësisë së LDK-së.

Bashkë me urimet, Mustafa shkruan se u kërkon falje që për 10 ditë, së bashku me atë vetë, përjetuan një presion të paparë mediatik.

“Morët letra dhe porosi nga gazetarë e redaktorë, nga përfaqësues të shoqërisë civile, se kë duhej ta përkrahnit e ta votonit. Këto letra i morët nga ata që sot, në emër të lirisë së medias, po ankohen se LDK-ja nuk ishte transparente. Unë po ua përcjell atyre këtë fotografi, t’ua tregoj transparencën e LDK-së. Po i lus, që në të ardhmen të mos tentojnë të ndërhyjnë në mënyrë flagrante dhe të cënojnë dinjitetin dhe lirinë e delegatëve”, shkruan në status kryetari Mustafa.

Top Channel