Agjencia Shtetërore: Të mbrohen fëmijët nga dhuna dhe abuzimet

01/06/2015 00:00

Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve (1 Qershor), Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve ka bërë thirrje për mbrojtje të të miturve nga dhuna dhe abuzimet. Agjencia u bën thirrje edhe kandidatëve për kryetarë bashkie që të paraqesin publikisht programin e tyre për fëmijët.

“Fëmijët kanë të drejtë të mbrohen nga të gjitha format e dhunës, abuzimit, shfrytëzimit apo neglizhimit. Kjo e drejtë është një nga shtyllat kryesore të Konventës së të Drejtave të Fëmijëve të Kombeve të Bashkuara, por është gjithashtu e shprehur në Kushtetutën dhe në legjislacionin shqiptar. Që kjo e drejtë e fëmijëve të realizohet, shumë më tepër duhet bërë në të gjitha nivelet e qeverisjes”, thuhet në apelin e Agjencisë.
 
Gjithashtu, u bëhet thirrje kandidatëve për kryetarë bashkie që ta trajtojnë me prioritet çështjen e mbrojtjes së fëmijëve. “Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, UNICEF, Terre des Hommes, Save the Children dhe World Vision në ditën e 1 Qershorit gjejnë rastin t’u bëjnë thirrje të gjithë kandidatëve për zgjedhjet lokale të tregojnë publikisht angazhimin e tyre për fëmijët, si dhe t’i kushtojnë rëndësi dhe të trajtojnë me prioritet çështjet e mbrojtjes së fëmijëve”, thekson Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve.

Top Channel