Elbasan, valë procedimesh penale; 3 për mashtrim, 3 të tjera për agresion

28/05/2015 00:00

Strukturat e Policisë së Elbasanit, gjatë 24 orëve të fundit, kanë nisur procedimin në gjendje të lirë ndaj disa shtetasve, të cilët akuzohen për vepra penale të ndryshme.

Sipas një njoftimi zyrtar, nën procedim në gjendje të lirë kanë përfunduar shtetasit e identifikuar me iniciale M.M., A.B dhe I.H., të moshave nga 28 në 40 vjeç, pasi kanë fshehur të ardhurat e përfituara nga organizimi i lotarive të palejuara në lokalet e tyre.

Në vijim të veprimeve hetimore, atyre u janë sekuestruar si prova materiale një njësi qendrore, një monitor dhe një printer.

Një tjetër person që është përfshirë në “sitën” e institucioneve ligj-zbatuese është shtetasi G.Gj., 59 vjeç dhe banues në Elbasan, i cili sikundër dy të proceduarit e parë ka fshehur të ardhurat, duke manipuluar faturat e kasës fiskale të një pike karburanti.

Ndërkohë, i identifikuari me inicialet E.M. po mbikëqyret nga autoritetet për manipulim të aparatit matës të energjisë. Manipulimi u konstatua nga punonjës të OSHEE-së në Elbasan.

Veprime hetimore po ndiqen edhe ndaj tre personave të tjerë për “aksidente rrugore, vjedhje dhe plagosje me mjete të forta”.

Top Channel