Stërvitje e përbashkët e FSK-së me trupat amerikane

27/05/2015 00:00

Brigada për Reagim të Shpejtë e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ushtria amerikane për Europën, të mërkurën kanë zhvilluar një stërvitje të përbashkët në Aeroportin e Gjakovës në kuadër të “Ndihma e Kosovës”.

Pjesë e skenarit ishin aeroplanët amerikanë të tipit C130J, helikopterë UH-60 “Black Haëks”, të cilët  zbarkuan ngarkesa në aeroportin e Gjakovës, si dhe ushtrime tjera sipas skenarit të planifikuar.

Për të parë nga afër stërvitjen ishin edhe zv.ministri i FSK-së, Fadil Gashi, komandanti i FSK, gjeneral/lejtnant Rrahman Rama, Ushtruesi i detyrës së komandantit të Brigadës për Reagim të Shpejtë, kolonel Xhevahir Geci dhe oficerë të lartë të FSK-së dhe Ushtrisë amerikane për Europën.

Stërvitja u realizua me ndihmën e Brigadës së Katërt të Këmbësorisë Parashutiste Luftarake  nga Alaska e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aktualisht e bashkangjitur Ushtrisë amerikane për Europën, si dhe Komandës së SHBA-ve për Europën.

Qëllimi i ushtrimit ishte trajnimi i FSK-së që të asistojë autoritetet civile gjatë emergjencave dhe fatkeqësive natyrore, apo emergjencave tjera që kërkojnë ndihmë humanitare. Roli i ushtrisë amerikane për Europën është ndihma në planifikim, burime trajnuese edhe ekspertizë teknike.

Top Channel