Konferenca e përbashkët Rama-Vuçiç

27/05/2015 00:00

Kryeministri serb Aleksandar Vuçiç ndodhet në Tiranë në vizitën e parë zyrtare të një kryeministri serb. Pas takimit dypalësh, ku kësaj radhe askush nuk u ndje i provokuar, kryeministrat pranuan pozicionet e sicilit vend për Kosovën dhe deklaruan nevojën e bashkëpunimit.

DEKLARATAT
 
Rama: Ne kryem brenda 6 muajsh vizitat reciproke në të dyja vendet në nivel kryeministrash. Pavarësisht se jemi larg dakordësisë në të gjitha pikat, sot shqiptarët dhe serbët kanë mundësi ta kthejnë kohën në paqe në rajon dhe më gjerë. Vullneti ynë është i palëkundur, në axhendën e një rajoni pa kufinj, ku mes shqiptarëve dhe serbëve të bjerë barriera historike. Të gjitha barrierat që na kanë penguar deri sot ta projektojmë së bashku të ardhmen, jo thjesht politikisht, por konkretisht, përmes hartimit bashkarisht dhe mbështetjes së përbashkët të projekteve. Dhe të shumëfishojmë energjitë pozitive që kaq shumë i duhet popujve tanë. Kam bindjen se suksesi ynë i përbashkët është e vetmja rrugë në këtë rajon ku jetojnë kaq të ndërlidhur fatet. Fakti që një top futbolli desh na rrokullisi në pikën zero është shembull i brishtësisë. Pavarësisht se ka mes nesh një mal mos dakordësie për Kosovën. Nga ana tjetër ngjarja në Kumanovë tregoi brishtësinë e paqes në rajon. Ne jemi kundër çdo forme të shfaqjes së ksenofobisë, dhe dua të theksoj fort se të gjitha vendet duhet të distancohen nga thirrjet që nxisin fjalë të tilla. Kjo i përket një Ballkani të së shkuarës dhe nuk kanë lidhje me përpjekjen tonë për Ballkanin e nesërm. Ne e dimë që paqja në rajon është e frymëzuar nga fryma e Bashkimit Europian.
 
Vuçiç: Jam i nderuar që jam kryeministri i parë serb që vjen në Shqipëri. Ne dëshirojmë marrëdhënie të mira me Shqipërinë. Shkëmbimi tregtar dhe projektet janë në interes të të dy vendeve. Janë shumë njerëz që pyesin se pse jam unë këtu. Puna ime është edhe e qeverisë së Serbisë. Ne këtu do të sjellim edhe investitorët tonë, edhe ato shqiptarë në Serbi. Jam i bindur se këtë e bëjmë në interes edhe të popullit shqiptar, edhe atij serb. Jam i bindur edhe për Serbinë edhe për Shqipërinë është me rëndësi që të fitojmë nga këto projekte. Normalisht nga e shkuara ne nuk mund të ikim, por do të duhet të shohim nga e ardhmja. Është fakt që nuk pajtohemi me Kosovën dhe Metohinë, pasi Serbia e konsideron si pjesë të vetën. Megjithatë duhet të përmirësojmë marrëdhëniet për një të ardhme të mirë. Dëshiroj t’i zgjas dorën e miqësisë popullit shqiptar.
 
PYETJET DHE PËRGJIGJET
 
Z. Vuçiç, a jeni ndjerë i provokuar në Tiranë?
 
Vuçiç: Nëse unë mund të them shumë pak nga kjo kemi pasur mundësi të shohim.. Falenderojmë Shqipërinë për këtë mikpritje. Unë nuk kam asnjë vërejtje nga pritja. Në Shqipëri, mua më intereson se çfarë mund të bëjë mirë për shtetin tim. Dhe mendoj se ky takim do të jetë shumë i mirë për Shqipërinë dhe Serbinë.
 
Zoti Rama ju sot pritët kryeministrin serb, ndërkohë që ka një gjendje tensioni mes Shqipërisë dhe Greqisë për kufirin detar. Së fundmi edhe gjendja në Maqedoni është e trazuar pas ngjarjes së Kumanovës. Si i shihni marrëdhëniet?
 
Rama: Ka çështje si Kosova, ku kemi mendime absolutisht të papajtueshme. Për ne, marrëdhënia e shqiptarëve me serbët është marrëdhënie kyç për ardhmërinë e rajonit. Me Greqinë kemi një marrëdhënie të gjatë të fqinjësisë së mirë, partneritet strategjik dhe nuk kemi absolutisht asnjë lloj problemi me qeverinë e Athinës. Unë e kam uruar kryeministrin Tsipras, e kam ftuar për vizitë në Tiranë, do të isha i lumtur të vizitoja Athinën. Nuk shoh asnjë arsye në botë që as Athina dhe as qarqe mendimtarësh në Tiranë të çuditen pse shteti shqiptar kërkon nga autoritetet greke, bazuar në praktikat rutinore, informacion për kërkimet në det. Ndërkohë që nuk është sekret dhe nuk ka filluar me qeverinë e re të Athinës përpjekja jonë për të gjetur gjuhën e përbashkët dhe për të zgjidhur një çështje që është e interesit kombëtar. Ne duam të vijojmë bashkëpunimin e nisur edhe në të shkuarën. Kemi zgjidhur problemin e vjetër të toponimeve dhe kemi mbajtur hapur kanalin e dialogut në lidhje me çështjen e detit. Ne nuk kemi ndërmend ta negociojmë interesinn kombëtar me pretedimin e një fqinjësie të mirë. Ne nuk jemi zotuar të mbyllim sytë për një problem që nuk e krijuam ne dhe nuk e ushqejmë ne. Sa i përket nënkryetarit të Kuvendit, nuk e imagjinoj dot që Athina apo kushdo kryeqytet tjetër duhet të na tregojë ne si duhet të operojë dhe është një problem artificial. Sa i përket Maqedonisë, unë kam nënvizuar dhe do ta bëj atë të deklaratës së Samitit të Uellsit. As kam thënë veto as kam kërcënuar. Ne jemi anëtarë të NATO-s, edhe kur është fjala për t’u dhënë zell deklaratave të përbashkëta të NATO-s. Falë edhe këmbënguljes sonë ka përfshirë edhe përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike. Këtë e themi dhe do ta themi me plot të drejtë. Nuk është as kërcënim, as bllokim, por qëndrim. Mbrëmë kemi marrë konfirmimin e Gruevskit për të qenë këtu. Plotësohet numri i të gjithë kryeministrave për të qenë këtu.
 
Zoti Rama ju kërkoni respektimin dhe të drejtat për shqiptarët në Preshevë. Por ndërkohë si është trajtimi i serbëve në Shqipëri?
 
Rama: Shqiptarët në Serbi meritojnë atë trajtim dinjitoz që kanë serbët e Kosovës. Me forcën e shembullit, dhe jo me shembullin e forcës vizionin tonë për rajonin. Sa u përket serbëve në Shqipëri nuk kam dëgjuar asnjëherë asnjë ankesë të kësaj natyre dhe e them me krenari: Shqipëria, por edhe Kosova, kanë garantuar një trajtim spektakolar të minoriteteve.
 
Zoti Vuçiç, disa ditë më pare, jeni shprehur në një intervistë se duhet të kemi marrëdhënie të mira me shqiptarët, sepse janë popull në ekspansion. Çfarë keni dashur të thoni me këtë?
 
Vuçiç: Kam folur në një mënyrë shumë të mirë. Shqipëria është një ekspasion edhe në aspektin ekonomik. Të gjitha këto dallime dhe mosmarrëveshjet që i kemi, jam i gatshëm të dëgjoj se çmund të bëjmë për pakicat. Besoj se Shqipëria do të bëjë edhe më shumë për pakicat. Nuk u iki këtyre obligimeve dhe këto marrëdhënie janë shumë të rëndësishme për ne. Jemi të gatshëm të dëgjojmë të gjitha vërejtjet.
 
Zoti Vuçiç, a i qëndroni deklaratës suaj se ngritja e dronit ishte me prapavijë politike? Thatë edhe se e dini se kush e ka ngritur dronin, a mund të na e thoni?
 
Vuçiç: Ishte një episod i keq për marrëdhëniet tona. Ishte i organizuar politikisht, pasi flamuri i Shqipërisë së Madhe u ngrit për këtë arsye. E njohim autorin: është një person me emrin Ismail. Së bashku me disa të tjerë ka ardhur nga Italia 3-4 ditë para ndeshjes. Kjo tregoi se sa të brishta janë marrëdhëniet tona.
 
E njëjta pyetje edhe për ju zoti Rama…
 
Rama: Unë nuk dua të kthehem pas tek fluturaku që na bëri objekt lajmeve dhe kronikës së gjithë botës. Thjesht besoj që për ne Shqipëria e Madhe ngaqë nuk është as vizion as projekt, edhe nuk na bën përshtypje kur shfaqet edhe në atë formë që u shfaq në stadiumin e Beogradit. Ne po ta kishim parë një flamur të Serbisë së Madhe do të kishim qeshur dhe nuk do ta kishim marrë kaq seriozisht. Besoj se mësimi që është për t’u nxjerrë është nga të dy palët, kjo paqe kaq shumë e kërkuar dhe e mirëpritur nga të gjithë popujt e Ballkanit është ende aq e brishtë sa mund të vihet në rrezik nga një top futbolli. Dhe sot ne jemi këtu.shqiptarët nuk kanë përgjegjësi vetëm ndaj vetevetes por edhe ndaj Europës dhe rajonit. Për këtë paqe nuk do të varet se si do të jenë serbët dhe shqiptarët por si do jetë rajoni. Dhe e ardhmja e Ballkanit është e lidhur me të ardhmen e sigurisë, të paqes dhe të normalitetit.
 
Zoti Rama, a e kundërshtoni projektin e Shqipërisë së Madhe?
 
Rama: Ne kemi ofruar që ditën e parë mbështetje të dialogut. Për ne dialogur ka shënuar fundin e historisë së konfliktit. Edhe në Beograd unë e kam nënvizuar rëndësinë e dialogut. Por nuk kam ndryshuar dhe as do të ndryshojë bindjen për Kosovën. Dhe njohja e Kosovës do të ishte një çlirim i madh për ju. Por nuk dua të hyj më thellë pasi ju sot jeni miq në shtëpinë tonë. Shqipëria e Madhe është një ide që e kanë promovuar dhe e ushqejnë ata që nuk I duan të mirën shqiptarëve. Jo ne dhe jo kombi ynë që nuk synon zgjerim në kurriz të askujt por vetëm vetëvendosje dhe paqe. Kështu që nuk ka projekt të Shqipërisë së Madhe, por vetëm paqja është projekti ynë. Ne duam një rajon pa kufij, për shqiptarët dhe jo vetëm. Kaq ua detyrojmë popujve tanë dhe njëri-tjetrit. Por nuk kanë lidhje me vendosmërinë tonë për të ardhme të përbashkët. Dëshira jonë është të kemi sa më shumë miq dhe turistë nga Serbia. Dhe ne jemi të vendosur t’i mbështesim bashkarisht.

Top Channel