Lamtumirë me nderime ushtarake 8 trupave të pajetë të “Kumanovës”

26/05/2015 00:00

Mijëra qytetarë u kanë dhënë lamtumirën e fundit 8 qytetarëve të Kosovës, të vrarë në Kumanovë më 9 dhe 10 maj.

Ata u varrosën në Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë, me nderime ushtarake si Dëshmorë të Kombit, pasi disa nga ta ishin veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ceremonia e varrimit me nderime ushtarake është bërë nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, ndërsa trupat e pajetë u sollën në varreza nga ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të veshur me uniforma të UÇK-së, miq, fëmijë e familjarë të kosovarëve të vrarë, i mbanin simbolet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në varrimin e Xhafer Zymberit, Mirsad Ndrecajt, Valon Kabashit, Turgaj Gashit, Samid Kastriotit, Hysen Rushitit, Fatlum Vishesellës dhe Arben Rexhajt kanë marrë pjesë disa deputetë të Kuvendit të Kosovës nga PDK, AAK, VV dhe LDK.

Para ceremonisë së varrimit të kosovarëve të vrarë në Kumanovë, në sallën “1 tetori” në Prishtinë janë bërë homazhe dhe është mbajtur mbledhje përkujtimore.

Në ceremonitë e varrimit të kosovarëve të vrarë në Maqedoni nuk ka marrë pjesë asnjë zyrtar i lartë qeveritar.

Top Channel