I dënuar në Zvicër për trafik droge, Prokuroria: T’i sekuestrohet pasuria

26/05/2015 00:00

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar konfiskimin e shumë pasurisë prej 13.5 milionë lekë, në disa llogari bankare të Elidon Bejkos.

Bejko është dënuar në Zvicër për trafik lëndësh narkotike. Sipas prokurorisë, gjatë ushtrimit të aktivitetit kriminal në Zvicër, ai ka sjellë në Shqipëri shuma të mëdha frangash, që janë depozituar në llogari bankare në emër të tij ose të familjarëve të tij.

Sipas vendimit të datës 19 shtator 2002 të Gjykatës Cheux-de-Fonds Zvicër, Elidon Bejko është arrestuar më 13 janar 2002 nga policia zvicerane me 34.2 gramë heroinë. Në vendim thuhet se Bojko është dënuar edhe në vitin 1997, për shkelje më të vogla se në vendim.

Prokuroria bën të ditur se, Elidon Bejko dhe Aleksandër Bejko, janë subjekt i hetimit pasuror. Pasi janë kryer verifikimet e duhura hetimore edhe ndaj familjarëve të tyre, janë identifikuar pasuritë, që nuk justifikoheshin nga pikëpamja ekonomike dhe dyshohet se lidhen dhe rrjedhin nga veprimtaria kriminale e ushtruar prej tyre.

Nga dosja hetimore dhe vendimi gjyqësor i Gjykatës Cheux-de-Fonds në Zvicër rezulton se Elidon Bejko, përveç sasive të lëndëve narkotike të sekuestruara, rezulton se ka dërguar në Shqipëri për periudhën gusht-dhjetor 2001 sasinë prej 134.000 frangash zvicerane.

Top Channel