Vetëvendosje: Ndarja etnike e FAK-ut, rrezik për Kosovën

24/05/2015 00:00

Komiteti për Mbrojtje dhe Siguri në Lëvizjen Vetëvendosje në një konferencë për medie paralajmëroi për rrezikun që po i kanoset Kosovës nga tendenca për ndarjen etnike të Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Deputeti Rexhep Selimi paralajmëroi se në emër të së drejtës që Kosova të ketë ushtrinë e saj, po na kanoset rreziku që përmes mundësisë së vetos nga Lista Serbe, të kushtëzohet krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, me ndarjen e këtij institucioni në baza etnike.

Marrëveshja e arritur në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, e ndan Policinë e Kosovës në baza etnike. I njëjti model po tentohet të aplikohet edhe tek Forcat e Armatosura të Kosovës.

“Ua kujtoj që marrëveshja e arritur në Bruksel mes Thaçit dhe Daçiqit në fushën e sigurisë e ndan Policinë e Kosovës në baza etnike. Kështu që ne ngrisim paralajmërimet apo rrezikun që mund të ndodh e njëjta gjë dhe që nuk është mohuar akoma nga institucionet tona që ka një kërkesë dhe rrezik të tillë. Kur dihet se çfarë përfaqëson Lista Serbe nuk duhet të çuditemi se në rast të mos mundësisë për ta penguar, ata do ta kushtëzojnë ndarjen etnike të FAK-ut”, ka thënë Selimi.

Lëvizja Vetëvendosje ka paraqitur skemën e pesë zonave të Gardës Kombëtare, nga e cila njëra prej tyre do të udhëhiqet nga komuniteti serb. Kjo sipas tyre do të krijojë mundësi të ndarjes etnike dhe do të ishte një vazhdimësi e gabimeve politike të pasuar nga qeveria e kaluar.

Top Channel