Pezullimi i aktivitetit të kandidatit të PD, Patozi: Qeveria, presion ndaj opozitës

24/05/2015 00:00

Partia Demokratike akuzoi Kryetarin e LSI-së, Ilir Meta, se ka dhënë urdhër të paligjshëm për pezullimin e fabrikës së miellit në pronësi të kandidatit demokrat për bashkinë e Vorës, Fiqiri Ismaili.

Ish-nënkryetari demokrat Astrit Patozi tha se vendimi arbitrar u mor menjëherë pasi një grup nga Autoriteti i Ushqimit ushtroi kontroll të shtunën, në ditë pushimi dhe nuk priti as rezultatin e analizave.

“Strukturat mafioze të LSI-së në qeveri shënuan sot një sulm të ri ndaj zgjedhjeve të lira në Bashkinë e Vorës, duke vënë në shënjestër direkt kandidatin e opozitës, Fiqiri Ismaili. Ministria e Bujqësisë dhe Autoritet i Kontrollit të Ushqimit, që drejtohen me telefon nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta urdhëruan pezullimin e fabrikës së miellit të zotit Ismaili, pa asnjë arsye dhe në kundërshtim të plotë me rregullat dhe procedurat ligjore. Ismaili ushtron një aktivitet normal dhe të ligjshëm biznesi, që nga viti 1992 dhe asnjëherë më parë nuk ka pasur probleme te tilla me autoritetet. Kurse fabrika e miellit, që u pezullua me urdhër politik, është hapur që në vitin 2012 dhe nuk ka pasur deri tani as shqetësimin më të vogël”, tha Patozi.

Partia Demokratike e konsideroi këtë rast si një sulm politik ndaj opozitës dhe ndërhyrje flagrante në zgjedhje, ‘për të cilat do të vihet në dijeni misioni i OSBE/ODIHR-it’.

“Një klimë e tillë represive në fushatë nuk mbahet mend asnjëherë në Vorë, madje as edhe në zgjedhjet e 2001-it, të cilat kanë qenë më të këqijat në këtë aspekt. Partia Demokratike e konsideron këtë si një ndërhyrje të pastër të mafies qeveritare për të prishur zgjedhjet e 21 qershorit dhe për të deformuar vullnetin e shqiptarëve. sulmi mbi kandidatin Ismaili dhe çdo rast tjetër i ngjashëm do të vihet në dispozicion të misionit të vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it në Tiranë”, shtoi Patozi.

Top Channel