Veliaj: Shërbim 24 orë për qytetarët e Tiranës

23/05/2015 00:00

Kandidati i PS-së, Erion Veliaj ka zhvilluar paraditen e së shtunës dëgjesën e radhës me qytetarët e Tiranës.

Veliaj ka premtuar shërbim 24 orë për banorët e kryeqytetit, të cilët sipas tij, janë lënë në harresë nga kryetari aktual i bashkisë.

“Nëse qyteti vuan 24 orë, atëherë duhet të ketë shërbim 24 orë. Bashkia duhet të punojë me 3 turne, por sot s’punohet me as edhe një turn. Sot kryetar i Bashkisë së Tiranës është kryetari i PD-së, që rend pas partisë. Zgjedhjet e vitit 2013, kur qytetarët votuan Rilindjen, treguan se njerëzit janë më inteligjentë nga sa mendojnë këta. Sot, kryetari i një njësie kandidon si i pavarur, sepse thotë që kryetari i bashkisë i mbylli derën. Ç’na duhet një kryetar bashkie që mbyll derën, shkon në Holandë dhe viziton Tiranën si turist?! Cilësia e punës sonë është ndryshe nga puna e tyre. Ne ecim 10 herë më shpejt se ata”, ka thënë Veliaj.

Më pas, kandidati i majtë ka shpërndarë certifikata të legalizimeve për banorët e disa njësive bashkiake të pranishëm në këtë takim, një tregues ky i punës së mirë që, sipas tij, ka bërë ALUIZNI nën drejtimin e Artan Lames e që bën diferencën mes të majtëve dhe të djathtëve.

Top Channel