Shkodër, Keti Bazhdari dhe Voltana Ademi përballë rinisë

23/05/2015 00:00

Dy kandidatet rivale për Bashkinë e  Shkodrës, Keti  Bazhdari dhe Voltana Ademi  janë bashkuar këtë të shtunë në një takim me të rinjtë, ku kanë nënshkruar “Kontratën Sociale”, një nismë kjo e marrë nga një grup rinor në Shkodër.

Nën moton “Rinia Guxon” grupi rinor i ka prezantuar “Kontratën Sociale” dy kandidateve që konstaton në; hartimin e planit lokal për rininë, ngritjen e një Qëndre Multifunksionale Rinore, krijimi i bizneseve inkubatore për rininë, krijimi i programeve të specializuara për trajtimin e problemeve sociale të të rinjve dhe zhvillimi i teknologjisë së informacionit online.

Në fjalën  e tyre dy kandidatet u shprehën se  të gjitha këto pika janë të parashikuara në programin e tyre dhe do jenë të realizueshme. Por debati mes dy kandidaeve u përqënndrua më shumë në   situatën aktuale dhe projektet e tyre për Bashkinë e Shkodrës.

Kandidatja Voltana  Ademi u ndal në situatën ekonomike, dhe sipas saj, rinia sot po lë vendin dhe po ikën pasi nuk ka mundësi punësimi  dhe nuk sheh të ardhme në këtë vend, ndaj  duhet që të kthejmë shpresën për rininë dhe qytetarët.

Ndërsa Keti Bazhdari u shpreh se deri më sot rinia e Shkodrës është lënë në harresë  nga bashkia  duke e kthyer frymën e rinisë në frymë interesi dhe nepotizmi, por nesër në Bashkinë Shkodrës, tha ajo, do të ketë një bord ku do të jenë forumet rinore të të gjitha partive, ku në themel të çdo gjëje do jetë transparenca. Më tej kandidatja Bazhdari u ndal tek investimet që e presin Shkodrën si ndërtimi i rrugës Shkodër-Velipojë  dhe ndërtimi rrugës  Shkodër-Dukagjin.  

Më pas dy kandidatet kanë nënshkruar dhe “Kontratën Sociale” me grupin rinor që mundësoi këtë aktivitet.

Top Channel