PDIU çel fushatën elektorale. Veliaj premton sheshin “Çamëria”

23/05/2015 00:00

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka çelur në kryeqytet fushatën elektorale për zgjedhjet e 21 Qershorit. Mes qindra mbështetësve, presidenti i nderit i PDIU-së, deputeti Tahir Muhedini ka shpjeguar dhe arsyet, se përse shqiptarët duhet të votojnë numrin 34.

“Është e vetmja forcë politike në Shqipëri, që nuk ka ndasi, nuk njeh të majtë e të djathtë. Por, kërkon nga të gjithë patriotët, të gjithë vëllezërit tanë shqiptarë, që i duan çështjet kombëtare, që e duan Shqipërinë dhe kombin shqiptar, duan edhe zgjidhjen e çështjes çame, të votojnë për numrin 34”, tha Tahir Muhedini.

Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj premtoi emërimin e një sheshi me emrin “Çamëria” në Tiranë, ndërsa theksoi se patriotizimi nuk na bën më pak europianë.

“Në Perëndim, italianët janë po aq patriotë për Italinë, francezët po aq patriotë për Francën, ndaj dhe po aq patriotë duhet të jemi dhe ne shqiptarët për Shqipërinë dhe për Çamërinë, sepse nuk duhet ta vuajmë çmimin e patriotizmit tonë me integrimin”, tha kandidati Erion Veliaj.

Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, në fjalën e tij shpjegoi edhe arsyen se, përse partia që ai drejton është rreshtuar në krah të koalicionit së Aleancës për Shqipërinë Europiane.

“Ne jemi sot në një aleancë të madhe, siç është ajo për Shqipërinë Europiane, sepse ne nuk i shohim njerëzit si të majtë e të djathtë, por i shohim sesa kombëtaristë janë ata. Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se gjithçka fillon nga dinjiteti ynë dhe ai i çdo shqiptari. Unë jam i bindur se sot jemi rreshtuar në një koalicion fitues dhe patriotësh”, theksoi Shpëtim Idrizi.

Kreu i PDIU-së nuk ka lënë pa komentuar edhe qëndrimet e Vangjel Dules dhe Athinës zyrtare.

“Ka një problem zoti Dule. Nuk mund të jesh edhe zervist, edhe europianist, sepse ne nuk erdhëm aty të të përzinim ty. Ne erdhëm për të të dhënë dinjitet, por ti ike sepse nuk ke dinjitet. Ne erdhëm për të të sjellë përfaqësim, ti ike sepse nuk ke as përfaqësim. I them Greqisë zyrtare që ka ngatërruar person. Ai që dha dorëheqjen është njeriu që përfaqëson idetë fashiste dhe zerviste”, deklaroi Shpëtim Idrizi.

Idrizi, duke bërë thirrje për të votuar kandidatët e PDIU-së për Këshillat Bashkiakë, u shpreh i bindur se më 21 Qershor, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet do të katërfishojë votat e saj në të gjithë Shqipërinë, si e vetmja parti që ka në thelb të programit të saj çështjen kombëtare.

Top Channel