
Kryebashkiaku Vangjush Dako është takuar me njerëzit e artit të qytetit të Durrësit. Ushqimi shpirtëror ka qenë në vemendjen e bashkisë gjatë këtyre 8 vjetëve, ka thënë Dako përpara artistëve durrsakë.
Ai ka nënvizuar se, bashkia ka akorduar për çdo vit fonde për artin edhe pse problemet e infrastrukturës së qytetit kanë qenë të shumta.
“Për cdo vit Bashkia e Durrësit ka dhënë 15 milionë lekë nga buxheti i saj për zhvillimin e aktiviteteve artistike, si dhe për vlerësimin e veprave të artistëve në mënyrë induviduale.
Rezultat i kësaj pune kanë qenë disa aktivitete që tashmë janë kthyer në traditë në qytetin e Durrësit. Këtu mund të përmendim festivalin ndërkombëtar të filmit, festivalin ndërkombëtar të dance meeting dhe festivali ndërkombëtar i muzikës së dhomës.
Ndërkohë, galeria e arteve ka qenë një hapësirë në funksion të artistëve, e cila ka dhënë rezultate të rëndësishme në fushën e artit. Jo më kot, arti është përcaktuar si mbiemri i qytetit të Durrësit”, ka thënë kryebashkiaku Dako.
Pjesë e takimit me artistët ka qenë edhe vepra artistike e autorit Ilirjan Xhixha, e cila sapo është vendosur në sheshin e rikonstruktuar të qytetit të Durrësit. Kjo vepër është dhuratë e artistit për qytetin e tij.
Top Channel