Duma takon gratë dhe nënat në Rrushkull: Do të bëjmë më shumë për ju

23/05/2015 00:00

Kandidatja e PD-së për Bashkinë e Durrësit, Grida Duma, bashkëbisedoi me gra dhe nëna të fshatit Rrushkull. Banoret shprehën shqetësimet e tyre për kushtet e vështira të jetës dhe mungesën e punësimit.

Znj. Duma tha se shumë gjëra nuk janë bërë, “por bashkë do të bëjmë edhe më shumë për zonën, duke nisur nga hapja e vendeve të punës në bujqësi”.

“Unë them të fillojmë nga punësimi. E para dhe më e rëndësishmja është punësimi. Do të hapim fronte pune. Atje tek produkti bujqësor, do të bëjmë edhe subvencionimin e prodhimit. Atje në fermë, ku ka nevojë për prodhim, do të kemi një fond sigurie prej 30% për fermerët që janë në ditë të hallit”, shtoi Duma.

Një takim emocionues ishte edhe me Besart Ismailin, një djalë 8 vjeç nga Rrushkulli, i cili kërkoi nga kandidatja një kënd lojërash ku të luajë me shokët e tij.

“Këtu ka shumë hapësira që i kanë çuar kot. Kur të rritesh do ta kujtosh bisedën tonë bashkë. Do të bëjmë këto gjërat e para, por unë të jap fjalën ty që maksimumi për një vit e gjysmë, ne të dy do të vizatojmë vendin ku do të bëjmë lojërat”, u zotua Duma.

Top Channel