Basha, takime me gratë në Korçë, premton ulje taksash dhe sulmon kryeministrin

23/05/2015 00:00

Kreu opozitës Lulzim Basha, gjatë një bashkëbisedimi me gratë e qytetit të Koçës thotë se “respekti ndaj gruas tregohet duke ia lehtësuar jetën dhe jo vështirësuar atë”.

“Gjithë ditën flet për gratë, nga mëngjesi deri në darkë. Por çfarë ke bërë për gratë? Sepse Brunildën e çove drejt vetëflijimit dhe askush s’mbajti përgjegjësi. Atë tjetrën e çove në korent sepse donte të lidhte energjinë elektrike për fëmijën që kishte të sëmurë me azmë. Mijëra e mijëra gra janë hequr nga lista e ndihmës ekonomike, dhe vënë duart në kokë se s’kanë me çfarë të ushqejnë fëmijët. Këto janë gjëmat që Edi Rama dhe Ilir Meta u kanë shkaktuar grave të Shqipërisë me politikën e tyre të rritjes së taksave, me politikën e tyre të rritjes së çmimit të energjisë e naftës, të largimit nga puna në mënyrë të paligjshme të mijëra e mijëra të tjerave, të mbylljes së dyerve të mijëra bizneseve që kanë nxjerrë dhjetëra, mijëra gra në mes të katër rrugëve”- deklaroi Basha.

Kandidati për kryetar bashkie, Gjergji Mero dhe kryetari i opozitës Lulzim Basha kanë theksuar se në platformën e Partisë Demokratike, një vend të rëndësishëm zënë lehtësirat fiskale për biznese të hapura nga gratë apo biznese që punësojnë gra.

Ndërsa në një tjetër takim me banorët e Mirasit në Devoll, kreu PD-së, Basha theksoi se platforma e PD parashikon uljen e çmimit të energjisë, faljen e kamatvonesave të ujit dhe energjisë, subvencione për bujqësinë, ulje taksash dhe investime që hapin vende pune dhe sjellin zhvillim.

“Atyre që thonë se ky nuk është momenti për të ulur taksat. Atyre që thonë se kjo nuk është garë për të ulur çmimin e energjisë, pra Edi Ramës dhe Ilir Metës që mundohen t’ju gënjejnë përsëri ju them se nuk ka prioritet më të madh për politikën, nuk mund të ketë prioritet më të madh për ata që ndjejnë dhimbjen dhe problemet tuaja, sesa hallet tuaja, papunësia, varfëria, pamundësia, mungesa e rrogave e pensioneve të larta. Ky është problemi më i madh i juaji, ky është prioriteti im numër një. Asgjë nuk do të më tërheqë nga beteja për hallet tuaja, për problemet tuaja”- u shpreh Basha.

Top Channel