Basha, në Pogradec: Alternativa jonë është ulja e taksave dhe e çmimeve

23/05/2015 00:00

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha është ndalur në qytetin e Pogradecit, ku është takuar me banorët e zonës. Basha bëri të ditur alternativën e opozitës për ulje taksash, ulje çmimesh dhe për subvencione.

Ai publikoi një letër të 30 peshkatarëve, të cilët shprehen se u është rritur licenca me 42 herë. Ata shprehen se kjo është e papërballueshme dhe nuk e sigurojnë dot bukën e familjes së tyre.

“As nuk u bëhet vonë fare se si do të shkojnë në shtëpi në darkë me sytë përdhe para fëmijëve të tyre që nuk kanë t’u blejnë as bukën e gojës, nuk u bëhet vonë. Kemi një alternativë; alternativën e uljes së çdo takse bashkiake dhe alternativën e madhe, platformën time për uljen e taksave kombëtare në nivelin më të ulët në Ballkan; uljen e çmimit të energjisë me 25%; faljen e çdo kamatëvonese për energjinë dhe për ujin; rritjen e rrogave dhe pensioneve; subvencione për fermerët dhe peshkatarët”, tha Basha.

Kryetari i PD-së tha se dyshja Rama-Meta nuk ka asnjë zgjidhje, asnjë ofertë për situatën.

“I mungojnë shumë gjëra Edi Ramës në këtë fushatë, i mungon oferta, i mungon vizioni, i mungojnë zgjidhjet për ju, por mbi të gjitha i mungon një popull budalla, një popull që t’i hajë broçkullat, prandaj është i dëshpëruar, prandaj ka filluar të kërcënojë qytetarët. Nuk e ndal dot vullnetin e qytetarëve Edi Rama, as me gënjeshtra, as me kërcënime. Sa vende pune kanë krijuar? Sa i kanë ulur taksat? I kanë rritur, e kanë rritur çmimin e energjisë, e kanë rritur çmimin e naftës”, shtoi kreu i PD-së.

Z. Basha solli në vëmendje edhe rënien e të ardhurave në buxhetin e shtetit në katër muajt e parë të vitit. 100 milionë dollarë, sipas tij, i mungojnë arkës së shtetit, ndërsa 1.5 milionë dollarë janë vjedhur nga fondi i rimbursimit të ilaçeve në 5 muajt e fundit.

Top Channel