Veliaj: Kontrata ime me sportin; dyfishim i buxhetit

22/05/2015 00:00

Kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, në një takim me sportistë dhe atletë të kryeqytetit, prezantoi 10 pikat kontratës së tij për sportin.

“Kontrata me 11 pika për sportin:
• Rehabilitim i terreneve dhe palestrave në gjitha shkollat e Tiranës.
• Hapësira sportive në lagjet e Tiranës, si dhe në çdo njësi administrimi rurale, të cilat do shërbejnë edhe si hapësira të integrimit të komunitetit;
• Partneritet i ngushtë me sportdashësit dhe ekipin e Tiranës;
• Mbështetje për të gjitha klubet dhe shoqatat sportive që ushtrojnë aktivitet në territorin e bashkisë, në bazë të kritereve të qarta, transparente dhe objektive;
• Në vitin e parë do të dyfishohet fondi për sportin në buxhetin e bashkisë. Deri në fund të mandatit do të trefishohet ky fond;
• Dyfishimin e hapësirave sportive për çdo 100,000 banorë, brenda vitit të parë, duke aktivizuar ambientet e shkollat si qendra komunitare dhe duke i vënë ato plotësisht në shërbim të sportit;
• Krijimin e minimumi 90 ambienteve të reja sportive në hapësirat e lira brenda pallateve;
• Në fund të mandatit, krijimin e 40 ambienteve sportive për çdo 100,000 banorë;
• Kalendar me aktivitete publike sportive masive, në bashkëpunim me Universitetin e Sportit;
• Rikonstruksion i të gjitha ambienteve sportive në pronësi të Bashkisë;
• Garantim i mundësive të barabarta për të gjitha moshat për t’u ushtruar në infrastrukturën publike ekzistuese dhe atë që do të ndërtohet”, janë pikat e programit për sportin.

Duke sulmuar Lulzim Bashën për premtimet e pambajtura, Veliaj theksoi se Tirana ka sot jo më shumë se 10 ambiente sportive publike për 100,000 banorë dhe gjatë administrimit të Bashës buxheti i bashkisë për zhvillimin e rinisë dhe sporteve ka qenë vetëm 1%.

Top Channel