PD akuzon Veliajn: Mashtroi me vendet e reja të punës; papunësia 7%

22/05/2015 00:00

Partia Demokratike ka akuzuar për mashtrim kandidatin socialist për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj. Deputetja Albana Vokshi tha se Veliaj po përsërit premtimet e pambajtura të dy viteve më parë.

“Erion Veliaj po përsërit premtimet e pambajtura që bëri dy vite më parë, vetëm se kësaj radhe i ka ambalazhuar bukur për bashkinë Tiranë. Në 2013 Erioni premtoi të paktën 150 mijë vende pune të reja nga zhvillimi i bujqësisë, blegtorisë dhe aktivitete të tjera rurale. Pyes sot ku janë 150 mijë vendet e reja të punës në bujqësi e blegtori? Ishte Erioni ministri përgjegjës për të realizuar këtë premtim. Kishte plot 40 për qind të buxhetit të shtetit për të realizuar jo vetëm këtë premtim, po dhe shumë premtime të tjera. Erioni mashtroi shumë, mashtroi dhe para dy javësh kur tha se ishin hapur vende të reja pune, po sipas tij shqiptarët ishin dembel. Por përveç faktit që po fyen shqiptarët, po u them se mashtrimin e tij po e përgënjeshtrojnë institucionet shtetërore, sigurimet shoqërore, INSTAT i Ramës dhe i qeverisë, i cili tregoi se këto dy vite papunësia është rritur me 7 për qind”, deklaroi Albana Vokshi.

Znj. Vokshi akuzoi Erion Veliajn se “nuk e ka problem të mashtrojë sërish qytetarët sapo të ketë marrë këtë pushtet”.

Top Channel