Bullgaria i përgjigjet Moskës nga Tirana: Qëndroni larg rajonit

22/05/2015 00:00

Ministri i Jashtëm bullgar, Daniel Mitov iu përgjigj nga Tirana deklaratave të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ku Moska akuzoi Shqipërinë dhe Bullgarinë se duan ndarjen e Maqedonisë.

Daniel Mitov ishte i prerë kur i kërkoi Moskës të qëndrojë larg rajonit.

“Fatmirësisht, ne nuk kemi dëgjuar akuza nga zoti Gruevski për ne apo Shqipërinë. Akuzat erdhën nga diku tjetër. Forca apo vende jashtë rajonit duhet të qëndrojnë jashtë rajonit. Mjaft! E ardhmja është në dorën tonë. Kjo është e ardhmja europiane dhe ne po shkojmë drejt përmbushjes së kësaj bashkarisht. Të mbajnë duart larg ata që duan të sjellin apo shkaktojnë destabilitet në rajon. Ne jemi angazhuar për integritetin rajonal dhe stabilitetin e Maqedonisë dhe jemi duke ndihmuar miqtë tanë në të gjitha mënyrat e mundshme”, tha Mitov.

Ashtu si Bushati, edhe Daniel Mitov i kërkoi Maqedonisë hetimin e plotë dhe të thellë të çështjes “Kumanova”, çështje për të cilën ministri i Jashtëm bullgar i kujtoi Shkupit se duhet t’u përgjigjet disa pyetjeve.

“Prej sa kohesh ishin në dijeni për këtë grup? Përse nuk reaguan më shpejt apo më herët? Nga erdhën armët? Kundër kujt do të luftonin? Këtyre pyetjeve duhet t’ju jepen përgjigje të qarta”, deklaroi Mitov.

Top Channel