Kompania ajrore “low-cost” Wizz Air, interes për aeroportin e Kukësit

21/05/2015 00:00

Kompani ajrore “low cost” duket se po shprehin interes për aeroportin e Kukësit. Njëra prej tyre është kompania hungareze Wizz Air.

Drejtori i Zhvillimit Aeroportual të kësaj kompanie, i shoqëruar nga përfaqësues të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, inspektoi këtë të enjte aeroportin e Kukësit, sipas burimeve zyrtare të MTI, “për të parë nga afër gjendjen e këtij aeroporti, me qëllim shqyrtimin e mundësisë së fillimit të operimit të fluturimeve nga ky aeroport drejt destinacioneve europiane”.

Gjatë vizitës inspektuese, përfaqësuesit e Wizz Air u shprehën me pozitivitet për gjendjen aktuale të aeroportit të Kukësit dhe treguan gadishmëri për bashkëpunim me autoritetet shqiptare për fillimin e operimit nga ky aeroport, kur të drejtat ekskluzive mbi fluturimet ndërkombëtare të TIA të jenë hequr.

Dy javë më parë, ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, deklaroi nga Kukësi se negociatat me koncensionarin TIA janë drejt përfundimit. Ky fakt do të lejojë vënien në funksion të aeroportit të Kukësit, që pritet të ketë ndikim direkt në ekonominë e qytetit të Kukësit dhe në punësimin e mbi 200 personave nga kjo zonë.

Aeroporti i Kukësit përfundoi së ndërtuari në vitin 2006, por asnjëherë nuk u vu në punë, për shkak të ekskluzivitetit mbi fluturimet ndërkombëtare, që gëzon operatori i Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” për periudhën 20- vjeçare 2005-2025.

Kompania ajrore hungareze Wizz Air konsiderohet si kompania më e madhe e transporit ajror që operon aktualisht në Maqedoni.

Top Channel