Gjergj Bojaxhi reagon pas deklaratës së Veliajt në “Top Story”

21/05/2015 00:00

Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, Gjergj Bojaxhi ,ka reaguar në Facebook pas deklaratave të Erion Veliajt në “Top Story”, se ai nuk po denoncon PD-në si shkaktare e betonizimit.

Bojaxhi e ka cilësuar gënjeshtër këtë deklaratë, duke thënë se kjo gjë është bërë çdo ditë.

“Erion Veliaj sapo deklaroi se Gjergj Bojaxhi nuk po denoncon PD-në si shkaktare e betonizimit. Në fakt, këtë kemi bërë këto ditë, kemi denoncuar me emër, mbiemër, datë dhe nënshkrim bashkëpunimin mes Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe shefit të Erionit, Edi Ramës për shpartallimin e Parkut të liqenit. Erioni gënjen hapur pa pikë turpi në Top Channel. Por kjo nuk është thjesht një gënjeshtër: është fyerje për të gjithë qytetarët që e dinë të vërtetën dhe që Erioni i mendon si naivë që mund të mashtrohen kaq lehtë”, shkruan Bojaxhi në “Facebook”.

Ndërkohë, ai ka hedhur edhe një foto, ku thotë se është pikërisht denoncimi që ai i bëri një ditë më parë bashkëpunimit të shefit të Halim Kosovës dhe shefit të Erionit, siç i quan ai, për betonizimin e Parkut.

Top Channel