Bushati kundër Lavrovit: Duam integrimin e Maqedonisë; Blushi: Nuk jemi në ditët më të mira

21/05/2015 00:00

Sikundër ministri i Jashtëm bullgar, edhe kryediplomati shqiptar, nga foltorja e Parlamentit i ka konsideruar të papranueshme deklaratat e shefit të diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, se Shqipëria dhe Bullgaria kanë kërkuar ndarjen e Maqedonisë.

Teksa përgënjeshtroi Lavrovin, Ditmir Bushati i mbeti qëndrimit se, Shqipëria është pro integrimit euroatlantik të Maqedonisë.

“Jemi fqinj të mirë që duam qëndrueshmëri demokratike atje, duam një Maqedoni shumëetnike, e një Maqedoni që të futet sa më shpejt në NATO dhe në BE, në përputhje me standardet që kanë këto dy organizata”, u shpreh ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.

Dekreti i Presidentit, që ktheu ligjin e Shërbimit të Jashtëm në Kuvend, i dha mundësinë deputetit Ben Blushi për të kundërshtuar një veto të mundshme të Shqipërisë ndaj Maqedonisë në NATO, siç komentuan mediet, por edhe për të nënvizuar – sipas tij – nevojën për një qëndrim më të konsoliduar të autoriteteve për Politikën e Jashtme.

“Nuk jemi sot në ditët më të mira. Madje, mund të kishim një politikë të jashtme shumë më të mirë në rajon. Mund të ishim më aktivë dhe mund të ishim diplomatë më të mirë, duke pasur një vështrim pak më strategjik. Dyshoj se, qeveria në disa raste, siç ka ndodhur dhe siç mund të ndodhë, ngatërron fishekzjarrin me dritën. Nuk ngatërrohen këto. Mund të bëjmë politikë të jashtme, duke i dhënë model rajonit vetëm me një mundësi dhe në një probabilitet: duke qenë një shtet i fortë, demokratik dhe i vetëmjaftueshëm ekonomikisht. Në qoftë se i plotësojmë këto 3 kushte, sigurisht që politika jonë e jashtme në rajon do të jetë shumë më e fortë nga ç’është sot dhe uroj që kjo të ndodhë”, deklaroi deputeti socialist Ben Blushi.

Ligji i Shërbimit të Jashtëm u miratua sërish në Kuvend nga të gjithë deputetët e mazhorancës, përfshi edhe Ben Blushin, i cili i dha mundësinë gjithashtu ministrit të Jashtëm, të deklarojë se diplomacia ka qenë aktive dhe ka bërë progres jo vetëm në rajon, por edhe në marrëdhëniet me aleatët strategjikë, me më të madhin prej të cilëve, SHBA-të, u nënshkrua partneriteti strategjik vetëm pak kohë më parë.

“Nuk presim mesazhe falënderimi të nderuar kolegë, aspak. Pozicioni juaj është ai aty, për të na kritikuar. Por është edhe për të thënë se cila është alternativa më e mirë. Në rast se jeni apo jo dakord, që ne jemi në një front me Shtetet e Bashkuara dhe të gjitha vendet e tjera në luftën kundër dhunës ekstreme dhe terrorizmit. Duhet të jemi seriozë, besoj, dhe të ndajmë se çfarë mund të bëhet më mirë, çfarë është bërë gabim, por me sensin autokritik. Kjo besoj se është më e shëndetshme”, tha Ditmir Bushati.

Top Channel