Prishtinë, protestë e familjarëve të kosovarëve të Kumanovës

20/05/2015 00:00

Qindra qytetarë u janë bashkuar familjarëve të të vrarëve dhe të arrestuarve në Kumanovë, në protestën që u mbajt të mërkurën para ndërtesës së qeverisë së Kosovës, në Prishtinë.

Protesta, e organizuar nga familjarët dhe ish-bashkluftëtarët e të përfshirëve në incidentin e armatosur në Kumanovë, erdhi pasi të afërmit pas më shumë se një jave nuk kanë marrë informata zyrtare nga shteti kosovar për të afërmit e tyre.

“Kërkojmë urgjentisht nga institucionet e Kosovës që sa më shpejt të ndërmarrin veprime konkrete në mbrojtje të qytetarëve të vetë, që janë të arrestuar e që po torturohen nga regjimi sllavo-maqedonas dhe servilët shqiptarë në institucione. Kërkojmë që urgjentisht qeveria e Kosovës të ndërmarr veprime konkrete për identifikimin dhe sjelljen e trupave që ranë dëshmorë për liri dhe drejtësi të shqiptarëve në Maqedoni”, tha Taulant Gashi, përfaqësues i familjarëve.

Protestuesit, përveç fotografive të të vrarëve në Kumanovë, mbanin në duar pankarta me mbishkrimin “Ku janë djemtë tanë”, “Poshtë pushteti sllavo-maqedon”, e të tjerë.

Ankthi i pritjes për familjarët po vazhdon prej disa ditësh, përderisa ata shprehen të zhgënjyer nga institucionet kosovare për atë që e quajnë indiferencën e treguar ndaj qytetarëve të vrarë e burgosur në Maqedoni.

“Dje kemi qëndruar tërë ditën para objektit të gjykatës dhe nuk na kanë lejuar të hyjmë. Kaq keqtrajtim na kanë bërë, sepse qëllimi i tyre është edhe mendërisht të na bëjnë presione. Por këto presione duhet së pari qeveria e shtetit tonë t’i ndalojë dhe të zgjohet e të dijë se ku janë njerëzit e vet”, tha Selvije Shehu, motra e Dem Shehut, i burgosur në Maqedoni.

“Unë, si i biri i Samid Kastriotit, kërkoj prej qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë zbardhjen e fatit të tij. Madje, jo vetëm të babait tim, por edhe gjithë të tjerëve”, u shpreh Fikret Kastrioti, babai i të cilit rezulton i vrarë në Kumanovë.

“Nuk është i burgosur. Flitet që është në listën e të vrarëve, por nga shteti maqedonas dhe jo prej shtetit tonë. Prej shtetit tonë zyrtarisht nuk kemi asgjë”, tha Arton Kabashi, vëllai i Valon Kabashit, i vrarë në Kumanovë.

“Për babain tim, Sami Ukshinin, unë po kërkoj liri për të edhe për gjithë shokët e tij”, tha më tej Arian Ukshini.

Kërkesat e familjarëve u përkrahën edhe organizatat e dala nga lufta dhe ish-bashkëluftëtarë të të përfshirëve në ngjarjen e Kumanovës, të cilët thanë se shokët e tyre nuk janë vetëm dhe kërkuan që urgjentisht shteti të ndërmarrë veprimet e duhura.

Po ashtu, edhe lëvizja Vetëvendosje në një komunikatë i ka cilësuar të drejta kërkesat e familjeve.

Top Channel