Kosova: Mbështetje të rinjve për punësim

20/05/2015 00:00

Në takimet me qytetarë të Tiranës, Halim Kosova po nxjerr në pah armën e tij më të fortë, integritetin personal, që siç u tha banorëve të njësisë 1, do të jetë në themel të punës së bashkisë të ardhshme për të menaxhuar fondet publike.

“Kjo pastërti e punës time më bën që të dal serbes në çdo rrugë, në çdo cep, karshi çdo lloj tubimi dhe grumbullimi njerëzish dhe unë kam lënë çdo gjë personale, çdo gjë personale që ti përkushtohem asaj që ta marrin vesh në këtë vend se çdo të thotë që mos vesh dorën tek lekët e qytetarit ashtu sikurse dje tek lekët e pacientit, për të bërë më të mirën e duhur për qytetin e Tiranës”, u shpreh z. Kosova.

Në programin e Halim Kosovës mbështetja e projekteve të rinisë zë një vend parësor.

“Të gjithë të rinjtë që kanë një ide, që kanë një ëndërr, që duan të përfshihen në punë, ne do t’i japim zyra, ambiente me qera zero”, vijoi Kosova.

Përsa i përket infrastrukturës së qytetit, Halim Kosova thote se nuk do të miratohet asnjë projekt që nuk është i plotë dhe i qëndrueshëm.

“Kur të bëj një rrugë mos thuaj faleminderit shumë, mirupafshim, u lamë bashkë. Jo. Rruga do drita, rruga do kanalizime, pastaj përveç këtyre duhet menduar shtëpi më shtëpi si do regullohet puna. Ndryshimi ka ardhur duke mos u kënaqur kurrë me atë që ke”, tha Kosova.

Top Channel