FRD çel zyrtarisht fushatën, Oketa: Të kontribuojnë të gjithë kandidatët

20/05/2015 00:00

Fryma e Re Demokratike nis të enjten zyrtarisht fushatën. Këtë të mërkurë ajo mblodhi Asamblenë Kombëtare për të përcaktuar dhe objektivat e saj gjatë fushatës për zgjedhjet e 21 Qershorit.

Nënkryetari i FRD-së, Gazmend Oketa, u bëri apel të gjithë kandidatëve të japin kontributin e tyre për një fushatë sa më të qetë.
 
“Thirrje kandidatëve, jo vetëm të Aleancës për Shqipërinë Europiane, por dhe të koalicionit tjetër politik, të opozitës, kandidatëve të pavarur që gjithësecili të japë kontributin për një fushatë sa më të qetë, më qytetare, ku në qendër të vëmendjes të jenë interesat e qytetarëve, interesi publik dhe të shërbejnë këto zgjedhje për të përmirësuar imazhin në sytë e qytetarëve të vendit dhe në sytë e ndërkombëtarëve”, tha Oketa.

Ai kërkoi që këto zgjedhje të shërbejnë si një model pozitiv, referuar ngjarjeve edhe në rajon. Do të ishte e pafalshme për vendin tonë, – tha Oketa,  – që në momente të tilla të mbizotëronte tensioni politik dhe debati shterpë.

FRD në këto zgjedhje garon vetëm me anëtarë për këshillat bashkiakë.

Top Channel