Basha me të rinjtë e Durrësit: Rama-Meta nuk mbajtën premtimet

20/05/2015 00:00

Opozita këmbëngul se vota e 21 Qershorit është votë për të ndëshkuar Qeverinë dhe mazhorancën Rama-Meta për mosmbajtjen e premtimeve të saj.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, edhe në takimin me të rinjtë durrsakë u ndal tek çështjet e “politikës së madhe”. Punësimi, çmimet, arsimi, borxhi e pensionet, që të gjitha në varësi të politikave të pushtetit qendror,  ishin temat që ceku Basha në qytetin bregdetar.

“A ka shpresë se do të bëhet më mirë nesër? Në dy vite taksat janë rritur, ndonëse Rama-Meta premtuan se do t’i ulnin. Në dy vite janë rritur çmimet, ka rënë fuqia blerëse. Me të njëjtat pensione blihet më pak, paguhet më shumë, jetohet më keq. Ku janë 300 mijë vendet e punës? Ku është ulja e çmimit të dritave?! Ku është hapja e universiteteve për të rinjtë?! Edi Rama dhe Ilir Meta, të dy së bashku dhe veç e veç, organizojnë estrada dhe me një tufë memecësh përpara recitojnë të njëjtën histori çdo ditë, pa u bërë merak se asnjë prej shqiptarëve nuk merr përgjigje për këto pyetje. Në rastin më të mirë shqiptarët marrin sulmin ndaj opozitës, ndaj meje, ndaj Gridës. Çfarë fshehin këto? Mungesën e përgjegjësisë. Nuk u përpoqën që të mbajnë këto premtime, nuk bënë as më të voglin mundim për t’i mbajtur, u provuan që morën votën dhe mashtruan qytetarët”- deklaroi Basha.

Basha tha se “binomi Rama-Dako nuk ka bërë asgjë për Durrësin” dhe premtoi që me Grida Duman kryebashkiake, Partia Demokratike do të ulë me 30 përqind taksat bashkiake, aq sa ja lejon edhe ligji për pushtetin vendor.

Në fjalën e saj, zonja Duma premtoi angazhim konkret për rigjallërimin e qytetit. “Ne do të kthejmë në jetë qytetin e Durrësit. Ne do të bëjmë një luftë frontale ndaj papunësisë”, tha Duma.

Top Channel