Meta: “Kumanova”, mbështesim stabilitetin. Deklaratat e Erdogan? Të ndajmë prioritetet

19/05/2015 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka folur këtë të martë për disa nga ngjarjet kryesore të javës së shkuar, por që vijojnë ende të ngjallin qëndrime dhe reagime të ndryshme.

I pyetur nga gazetarët për takimin në fundjavë me faktorin shqiptar në Maqedoni, si i komenton zhvillimet më të fundit, duke iu referuar Kumanovës, dhe a mund të kemi një bashkim të shqiptarëve në Maqedoni, zori Meta u përgjigj:
 
“Shqipëria ka qenë dhe mbetet një nga vendet më të përkushtuara e më të sinqerta për të mbështetur stabilitetin e Maqedonisë dhe gjithë procesin e saj të integrimit euro-atlantik. Shqipëria shpeshherë e ka dëshmuar këtë në mënyrë konkrete dhe në mënyrë të vazhdueshme.
 
Njëkohësisht, shqiptarët në Maqedoni kanë bërë gjithnjë përpjekjet e tyre në këtë drejtim dhe mesazhi ynë për të gjitha forcat politike shqiptare në Pogradec, por edhe në vijimësi, është që përmes një procesi të vazhdueshëm bashkëpunimi dhe konsultimi midis tyre të potencojnë më tej rolin e tyre si faktor stabilizues, demokratizues dhe europianizues të Maqedonisë.
 
Në këtë mënyrë dhe përmes këtij procesi politik shqiptarët në Maqedoni të kenë të drejta krejtësisht të barabarta me gjithë qytetarët e tjerë të Maqedonisë, sepse kjo e bën Maqedoninë një vend më europian dhe më demokratik, por kjo e bën edhe një vend shumë më të sigurt dhe më të stabilizuar.
 
Dhe në këtë drejtim, ne e shpresojmë dhe inkurajojmë të gjitha forcat politike shqiptare pavarësisht nga dallimet e ngushta partiake apo politike që ato kanë që të vijojnë bashkëpunimin e tyre”.
 
Ndërsa i pyetur për vizitën në Tiranë të Presidentit të Turqisë, Erdogan, dhe qëndrimet e deklaratat e tij, që ngjallën reagime në opinioni publik, sidomos deklaratat për Fondacionin Gylen dhe mbylljen e disa shkollave turke në Shqipëri, kreu i Kuvendit tha:
 
“Raportet midis Shqipërisë dhe Turqisë janë historike dhe janë me shumë të ardhmen. Në këtë drejtim unë besoj se duhen ndarë ato që janë prioritete të përbashkëta të bashkëpunimit, që ne i mbështesim dhe i inkurajojmë edhe në vijim të traditës së shkëlqyer të marrëdhënieve midis dy vendeve me qëndrime të caktuara, të cilat në fakt nuk kanë një lidhje të drejtpërdrejtë me marrëdhëniet mjaft solide midis dy vendeve. Ndërsa për çështjen në fjalë (Fondacioni Gylen) besoj se përgjigjja e ministres së Arsimit është përgjigja më adekuate”.
 
Gjithashtu, kryeparlamentari Meta përshëndeti zhvillimin mjaft të suksesshëm të Këshillit të Stabilizim-Asociimit midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, që siaps tij, dëshmoi për progresin e arritur nga vendi ynë në drejtim të mjaft reformave kyçe për procesin e integrimit europian.

Top Channel