Kosova, notë proteste Maqedonisë: S’ka transparencë për Kumanovën

19/05/2015 00:00

Pavarësisht gatishmërisë së qeverisë së Kosovës për bashkëpunim me Maqedoninë për zbardhjen e ngjarjes në Kumanovë, ku ishin të përfshirë qytetarë nga Kosova, duket se Shkupi zyrtar po refuzon bashkëpunimin.

Për këtë arsye, Ministria e Jashtme e Kosovës u ka dërguar të martën një notë proteste autoriteteve maqedonase, nga të cilat kanë kërkuar më shumë transparencë në identifikimin e qytetarëve të vrarë dhe atyre të arrestuar.

Mosbashkëpunimin e Qeverisë së Maqedonisë me atë të Kosovës, e konfirmon dhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Skënder Hyseni. I ndodhur në Tiranë në kuadër të takimit të ministrave të Brendshëm të rajonit, në një pronocim për Top Channel, Hyseni ka hedhur akuza mbi Shkupin zyrtar për mosinformim.

“Ka pasur vështirësi të dukshme në komunikimin me autoritetet maqedonase. Kjo, sepse informacioni që i është dhënë Ambasadës sonë në Shkup ka qenë i mangët dhe vazhdon të jetë i tillë. Ne nuk do të nxitojmë të bëjmë deklarata për çfarëdo lloj gjëje, për sa kohë që nuk kemi informacion të plotë”, tha Skënder Hyseni.

Në Ministrinë e Jashtme kanë treguar gjithashtu se, Ambasada e Kosovës në Shkup po ndihmon familjarët e qytetarëve të arrestuar që të vizitojnë të afërmit e tyre, për aq sa e ka të mundur ta bëjë këtë. Për shkak të moslejimit të bashkëbisedimit të stafit të Ambasadës me të burgosurit, për të parë gjendjen e tyre dhe keqtrajtimet që po u bëhen, Ambasada e Kosovës në Shkup ka kërkuar ndihmën e organizatave ndërkombëtare për të hyrë në burgje, si dhe për të parë se si po trajtohen kosovarët e burgosur.

Për moslejimin e vizitave te familjarët e tyre, si dhe për mosmarrjen e informacioneve zyrtare për kosovarët e vrarë, të mërkurën në Prishtinë do të mbahet një protestë e organizuar nga familjarët e kosovarëve të arrestuar në Kumanovë, më 10 maj. Përmes kësaj proteste, familjarët e kosovarëve të përfshirë në ngjarjet e Kumanovës kërkojnë nga qeveria e Kosovës, që të ndërmarrë veprime konkrete dhe t’u dalë në ndihmë shtetasve kosovarë, që po keqtrajtohen nga autoritetet maqedonase.

Top Channel