Shumë prindër mbesin pagjumë, për shkak të foshnjës së tyre që zgjohet gjatë natës, por tani duket se kjo do t’i përkasë së shkuarës, falë një aplikacioni të quajtur “SleepHero”, që mund ta vëjë sërish në gjumë fëmiun, duke kënduar ninullat tuaja.

Aplikacioni ka disa pjesë instrumentale të cilat qetësojnë një fëmijë dhe mund ta bëjnë që të mbyllë sytë sërish. Ai aktivizohet në mënyrë automatike, sapo dëgjon zhurma, që vijnë nga të qarat e fëmijës. Por, më e rëndësishmja, është se aplikacioni lejon që ju të regjistroni ninullën me zërin tuaj, që mund të jetë një zgjidhje më e mirë se pjesët instrumentale.

Krijuesi i këtij apliakcioni, Rob Tong, që kishte kaluar orë të tëra pagjumë për shkak të djalit të tij Freddie, ka thënë se fëmijët flenë sërish, vetëm pasi të dëgjojnë zërin e njërit prej prindërve. Ai është shprehur se ky aplikacion është për foshnjat deri në 3-vjeç, ndërsa është duke punuar në një tjetër aplikacion për fëmijët më të rritur.

“Kam provuar shumë teknika, por kam arritur në përfundim që vetëm zëri i prindërve rikthen foshnjën në gjumë. Të paktën, kjo më ka ndodhur mua, që pas dhjetë minutash duke kënduar ninulla, djali im flinte sërish.Sigurisht që aplikacioni nuk do ju ndihmojë kur fëmija ka nevojë të ushqehet apo të ndërrohet”-, është shprehur Tong.

Top Channel