Turizmi dhe Tirana, Halim Kosova takon qytetarë dhe sipërmarrës

18/05/2015 00:00

Tirana pret çdo vit 1 milion turistë, por shumë pak janë të huaj. Objektivi i Halim Kosovës, në rast zgjedhjeje në krye të bashkisë më të madhe në vend, është që 100 mijë prej këtyre turistëve të jenë të huaj.

Kandidati i opozitës për kryeqytetin u ndal pasditen e së hënës në një takim me qytetarë, intelektualë dhe biznesmenë për të diskutuar “Branding Tirana” dhe mundësitë e kryeqytetit për të tërhequr vizitorët.

Halim Kosova tha se arti dhe kultura duhet të kenë të gjitha një vulë; atë të tiranasve, ndërsa premtoi bashkëpunimin me biznesin për të pasur një hov më të madh në këtë sektor. Ai përmendi hartën dixhitale, gjuhën, këngët e vallet e të gjitha elementët e tjerë.

“Tirana vizitohet nga 1 milion turistë dhe synimi ynë është që 100 mijë të jenë të huaj, që minimumi të vijnë dy herë në vit. Për këtë bashkia nuk do ta shohë si armik biznesin, por si një frymë të re të miqësisë dhe përkrahjes, sepse biznesi mban veten me punë, krijon vende pune, por i jep edhe tonin qytetit. Të gjitha këto hallka, të bashkuara, të harmonizuara, të pasuruara me hartën dixhitale, ku çdo turist do të ketë informacionin e duhur për të prekur të gjitha vlerat e qytetit tonë do të na ndihmojnë. Kemi një gjuhë shumë të veçantë, po të veçantë kemi edhe ushqimin e zakonet kombëtare. Po t’i bashkojmë të gjitha këto, do të bëjmë qytetin tonë të dashur dhe të vlefshëm si për vete, ashtu edhe për turistët që do të na vizitojnë”, tha Kosova.

Takimi shërben për të përthithur ide mbi platformën që kandidati i demokratëve thotë se do të jetë gati brenda një jave. Deri atëherë ka kohë për këshilla.

“Ne kemi përgatitur një projekt shumë të qartë, i pasuruar me të gjitha elementët e biznesit. Por para projektit përfundimtar, jemi këtu për të marrë disa mendime me zotimin që ky bashkëpunim të jetë i vazhdueshëm”, u shpreh kandidati i demokratëve.

Top Channel