Bushati: Greqia, partner strategjik. Problemet, zgjidhje sipas ligjeve ndërkombëtare

18/05/2015 00:00

Shefi i diplomacisë shqiptare sqaroi në Bruksel pozicionin ndaj Athinës, duke theksuar se kërkesa e Tiranës bazohet tek e drejta ndërkombëtare.

Ditmir Bushati, ministër i Jashtëm: Shqipëria i ka kërkuar zyrtarisht Greqisë, koordinatat e sakta për kërkimet në det që bën Greqia. Kjo histori, për fat të keq është fryrë nga mediet greke, apo qarqe të caktuara të medias greke. Është thjesht një ushtrim i sovranitetit të Shqipërisë, siç bën çdo vend normal, sepse në fund të fundit, kur bëhet fjalë për detin kemi të bëjmë me ushtrim përgjegjësish të përbashkëta. Besoj se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, për sa i takon asaj që ne e quajmë “shfuqizim të marrëveshjes së detit” është një linjë e kuqe për çdo qeveri, e aq më tepër për qeverinë tonë, e cila ka pasur një qëndrim të qartë pro këtij vendimi edhe kur ishte në opozitë, si dhe ka qenë nismëtare madje e këtij procesi gjyqësor kushtetues.

Nuk ka probleme të reja mes Greqisë dhe Shqipërisë, sipas ministrit Bushati, por mbeten për t’u zgjidhur çështjet e vjetra, për të cilat janë ngritur grupe të përbashkëta pune, falë marrëveshjes së arritur me qeverinë paraardhëse të asaj “Tsipras”, gjë që pritet të vijojë pa pengesa për palën shqiptare. I painformuar zyrtarisht për ndonjë anulim vizite të homologut grek, Bushati vlerëson se Greqia nuk do të bllokojë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë.

Ministri Ditmir Bushati: Nuk besoj se është e udhës, që unë të hamendësoj mbi këtë çështje, apo mbi një pozicionim të mundshëm të Greqisë në raport me avancimin e mëtejshëm të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ne jemi dy vende anëtare në NATO, ulemi në të njëjtën tryezë, ndajmë informacione, përgjegjësi dhe, gjithashtu, ushtrojmë  veprime të përbashkëta në kuadër të aleancës, që sot për sot është më e forta në botë. Besoj se do të ishte në interesin strategjik të Greqisë, një përparim i Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

Në rastin e Maqedonisë, me gjithë këmbënguljen e Komisionit Europian, Greqia bllokoi dukshëm për 6 vite radhazi nisjen e negociatave të anëtarësimit, duke i sjellë kosto shtesë BE-së për qëndrueshmërinë rajonale, por edhe të Shkupit, pasi këtë vit nuk pritet të ketë më ndonjë përsëritje të rekomandimit pozitiv nga Komisioni.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel