Barack Obama hap profil në Twitter

18/05/2015 00:00

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama ka hapur një profil në Twitter, ndërsa këtë gjë e ka konfirmuar edhe Shtëpia e Bardhë. Profili i Obama-s është @POTUS, shkurtesë për “President Of The United States”, dhe për 24 minuta ai ka grumbulluar mbi 100 mijë ndjekës.

“Përshëndetje Twitter! Jam Barack-u. I vërteti. Pas gjashtë vitesh si President, më në fund më hapën dhe mua një profil”, ka qenë postimi i parë i Obama-s në Twitter. Personat e parë që Presidenti i SHBA-ve ka filluar të ndjekë në këtë rrjet social kanë qenë bashkëshortja e tij, Zonja e Parë, Michelle Obama, dhe dy ish-presidentët Bill Clinton dhe George W. Bush.

“Profili në Twitter është një mënyrë e re për Presidentin Obama që të komunikojë me amerikanët, ndërsa edhe njerëzit do të mund t’i drejtohen atij për shqetësimet që kanë. Postimet do të bëhen vetëm nga Presidenti Obama”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Ndërkohë, Michelle Obama i ka uruar mirëseardhjen bashkëshortit të saj në Twitter, duke shkruar se hapja e këtij profili “ishte çështje kohësh”. Ndoshta, ka qenë pikërisht Zonja e Parë ajo që ka bindur Barack-un që t’i bashkohet në Twitter, të paktën këtë përshtypje jep postimi i mirëseardhjes.

Top Channel