PD, Kosova: Larg politikës, pranë qytetarëve

17/05/2015 00:00

Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova, gjatë takimit me banorët e njësisë 3 në zonën e Pediatrisë, premtoi se do i qëndrojë larg luftës politike për t’i shërbyer interesave të qytetarëve.

Kosova theksoi se “konflikti politik në vend ka dëmtuar interesat e qytetarëve” dhe solli si shembull bllokimin e banesave sociale për të pastrehët.

“Çdo konflikt politik në këtë vend është kthyer në një problem më vete për jetën e përditshme të qytetarit. Nuk mund të ketë asnjë lloj agresiviteti ndaj meje që të më bëjë të kthej rrugën e vendosur që çdo minutë ta shfrytëzoj për të gjetur një zgjidhje për ju. Jam këtu për të dhënë zgjidhjen e duhur dhe të marr vendimin e duhur në kushte shumë të vështira, por me qetësinë, maturinë dhe eksperiencën që unë kam”, tha Kosova.

Përsa i takon sulmeve të kundërshtarëve, Kosova tha: “Mundohen të më pengojnë, por unë shoh që sa më shumë sinjale që marr dhe informacione negative, më bindin që rruga që kam ndërmarrë është rruga e duhur. Sa më shumë t’i shoh të trullosur, sa më shumë t’i shoh të egërsuar, aq më shumë bindem se bashkë me ju do shkojmë në rrugën e mbarë për Tiranën, për familjet tona, për lagjet tona”.

Top Channel